Dështon emërimi i kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës, mungon LDK-ja
Me 20 vota për dhe 10 abstenime dështoi përzgjedhja e kandidatit të pavarur, Fehmi Kupina për kryesues të Kuvendit të Prishtinës në raundin e parë.
Për këtë pozitë, Kupina u propozua nga përfaqësuesi i Aleancës Kosova e Re (AKR), Gëzim Mehmeti.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për emërimin e kryesuesit të kuvendit të kryeqytetit, mungojnë 21 asamblistë, duke përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila kërkoi që kjo seancë të shtyhet për 30 minuta. Kjo shkaktoi debate mes asamblistëve, porse procesi vazhdoi.
Iniciuesi i seancës së jashtëzakonshme nga LVV-ja, Gëzim Sveçla në një prononcim për media tha se kjo situatë e krijuar nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë prej vitit 1999, sipas tij kur të zgjedhurve të qytetarëve iu pamundësohet procedura për mbajtjen e një seance.
Sveçla u shpreh i bindur se sot do të zgjidhet kryesuesi i kuvendit të Prishtinës.
Përfaqësuesi i AKR-së, Gëzim Mehmeti ftoi asamblistët e të gjitha partive të përkrahin dhe votojnë propozimin për zgjedhjen e Fehmi Kupinës, kryesues të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
“Sipas legjislacionit të fuqi propozoj që kandidati i pavarur Fehmi Kupina të votohet dhe të zgjidhet kryesuesi i kuvendit komunal të Prishtinës. Bazuar në kompetenca e juaja dhe parimet demokratike i ftoi asamblistët e të gjitha partive të përkrahin dhe votojnë propozimin … Kryetar shumica është bërë sot, këtu shumica sot me mjete demokratike do ta zgjedhë kryesuesin”, tha Mehmeti.
Aktualisht asamblistët janë duke votuar në raundin e dytë për zgjedhjen e kryesuesit i Kuvendit Komunal.
