Haradinaj-pozitës: Fenomeni i kontratave njëburimore ju turpëron, ju marron, nuk mund t’i ikni kësaj, i vjen era
Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi nga grupi parlamentar i partisë në pushtet që të ftojnë organet kompetente për të hetuar, siç tha, numrin e madh të kontratave njëburimore.
Gjatë fjalimit të tij në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, Haradinaj iu drejtua deputetëve të pozitës duke i thënë se mund të arsyetohet një kontratë njëburimore në ndonjë situatë të caktuar, por “fenomeni i kontratave njëburimore ju turpëron, ju marron, nuk mund t’i ikni kësaj, i vjen era”.
“Meqë nuk doni ta përkrahni rezolutën ashtu si po propozojmë ne si deputetë, atëherë ju lutem kini guximin si grup parlamentar, ftoni hetuesinë, prokurorët, që të hetojnë numrin kaq të madh të kontratave njëburimore. A ka konflikt interesi, a ka shkelje të ligjeve, a ka humbje të parasë! Pra duhet ta keni këtë guxim, ju lutem”, deklaroi Haradinaj.
