Miratohet propozimi i MPJD-së për blerje të objekteve për ambasada të Kosovës në Paris, Romë, Otavë e Ankara
Në mbledhjen e 193-të me radhë të Qeverisë së Republikës së Kosovës që u mbajt sot, në mesin e disa pikave të diskutuara, është miratuar edhe propozim vendimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për blerjen e objekteve për nevojat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës në Paris të Francës, Romë të Italisë, Otavë të Kanadasë dhe Ankara të Turqisë.
Zëvendësministri në MPJD, Kreshnik Ahmeti, u shpreh se “udhëhequr nga orientimi strategjik për konsolidimin e pranisë së Republikës së Kosovës në këto kryeqendra, në mbështetje të një strategjie gjithëpërfshirëse për reformimin, ristrukturimin dhe rritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës përmes shërbimit të jashtëm të republikës, referuar rregullores së Qeverisë nr. 12/2012 për procedurën e blerjes dhe marrjes me qira të objekteve për misione diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, propozoj miratimin e vendimit për blerjen e objekteve të ambasadave në kryeqendrat e sipërpërmendura”.
