Shefi i Shërbimit të Stomatologjisë në Gjilan, Dr. Taulant Ramadani: Gjithçka ka qenë e do të jetë transparente dhe brenda suazave ligjore

Përveç angazhimeve të përditshme rutinore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, përkatësisht Shërbimin e Stomatologjisë të Gjilanit është bërë edhe hapja e konkursit për pranimin e dy mjekëve -stomatolog, pesë asistentëve të stomatologjisë dhe një tekniku të stomatologjisë, ka njoftuar Dr. Taulant Ramadani, Shef i Shërbimit të Stomatologjisë dhe njëherësh edhe Kryetar i Komisionit.

Në kontekst të kësaj që u tha më lartë, theksoi nevojën e plotësimit të resurseve humane me proces të rekrutimit të profesionistëve të rinj shëndetësor dhe nisur nga kjo Shërbimi i Stomatologjisë ka pasur nevojë urgjente për plotësimin në fjalë.

“E gjitha kjo varësisht nevojës për ofrimin sa më të mirë të shërbimeve shëndetësore në Komunën e Gjilanit dhe përreth” theksoi, ai.

Në vijim, Shefi i Shërbimit të Stomatologjisë në Gjilan, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit përzgjedhës për pozitat e lartë kërkuara, tha se është duke udhëhequr dhe duke siguruar që çdo gjë të jetë brenda normave etike dhe ligjore për të gjitha fazat e procesit të rekrutimit.

Ai tha se procesi përmban fazën e parë të testimit me shkrim, ku gjatë mbajtjes së tij, nuk kemi hasur në asnjë problematikë.

Sipas tij, pas mbajtjes së testit me shkrim, brenda afateve ligjore në zyrat e Drejtorisë së Shëndetësisë në Gjilan, po mbahen orët e ankesave ku kandidatet kanë mundësi të qasjes në testet e tyre.

Shefi Dr. Ramadani tutje tha se faza e dytë do të jetë intervistimi me gojë ku bazuar gjithmonë në cilësinë e përgjigjeve të kandidateve dhe meritokracisë, do të bëhet përzgjedhja definitive e kandidatëve që plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara.

“Gjithçka ka qenë dhe do të jetë transparente dhe vetëm brenda suazave ligjore”, thekson, ai. /GJILANI INFO/

Go to TOP