Sinjalizuesi i aferës së rezervave në MINT thotë se u shkarkua nga ministrja Hajdari, reagon Miftaraj
Ermal Kutllovci, është larguar sot nga puna në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku kishte shërbyer për 14 vjet.
Ai thotë se është larguar nga ministrja Rozeta Hajdari, për shkak se e kishte kundërshtuar skandalin me rezervat shtetërore.
Kutllovci tha se ishte kërcënuar hapur nga Hajdari.
Tani ish-zyrtari i MINT-it tha se u trondit nga tendeca për ta ndalur fjalën e lirë nga e para e kësaj ministrie.
“Ministrja, Rozeta Hajdari, çuditërisht më kërcënoj hapur para të gjithëve me fjalën (mbylle gojën), saqë iu drejtua me urdhër z. Daut Latifaj, zv.Sekretarit të Përgjithshëm dhe kërkoj inicimin e procedurës disiplinore. Ky zbatuesi i urdhrave përpos deficitit të lartë në aspektin profesional është caktuar zv.Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr.06/L-113, Për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, konkretisht Nenin 18, Paragrafi 5. I njëjti me paramendim vepron në kundërshtim me Ligjin Nr. 08/L-197 Për Zyrtarët Publikë, konkretisht me Nenin 59, Paragrafi 2, 3 dhe nënparagrafin 3.1. Për veprimet e tij të kundërligjshme e tendencioze, natyrisht se do të përballet me proceset e mëtejme ligjore”, tha ai.
“U trondita me sjelljen dhe tendencën e Ministres Hajdari për të ndaluar e cenuar fjalën dhe mendimin e lirë e sidomos për çështjen e procedurës së furnizimit të Rezervës Shtetërore. Diskutimi im e shqetësoj dhe e nervozoj tejmase, saqë e humbi tërësisht kontrollin dhe e kërkoj hakmarrjen para të gjithëve”, shtoi Kutllovci.
Lidhur me rastin ka reaguar drejtori Institutit Demokratik të Kosovës, Ehad Miftaraj.
Miftaraj tha se kush e raporton korrupsionin e njerëzve të Kurtit, shkarkohet.
“Qeveria klienteliste e Albinit i mbron zyrtarët e korruptuar dhe i ndëshkon ata që kanë guxim ta raportojnë korrupsionin. Më vjen keq se si janë katandisur disa këshilltarë të kësaj qeverie të cilët deri dje e kanë pasur gojën plot integritet, kundër-korrupsion, qeverisje e mirë, e shiten vetën dhe “parimet” për një copë ashti (pozita, tendera, kompani për blerje dhe shitje të rrymës, privilegje, udhëtime, lekë, etj)”, tha Miftaraj.
