A e rrëzoi një raketë Patriot aeroplanin gjurmues të Rusisë?
Kievi pretendon se ka rrëzuar, më 14 janar, një avion gjurmues A-50.
Nëse konfirmohet, kjo do të ishte një goditje e madhe për përpjekjet luftarake të Rusisë. /rel/

Kievi pretendoi më 15 janar se ushtria e tij rrëzoi një avion gjurmues A-50 mbi Detin Azov. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ai nuk kishte “asnjë informacion” për sulmin nga Ukraina ndaj aeroplanit. Ai i drejtoi gazetarët rusë te Ministria e Mbrojtjes, e cila nuk është deklaruar në lidhje me pretendimin.

Avionët gjurmues janë një objektiv shumë i vlefshëm për shkak të kostos së tyre — deri në gjysmë miliardë dollarë për avion — dhe informacionit për situatën në kohë reale që i ofrojnë makinerisë ruse të luftës. Avioni shërben si një lloj “kulle kontrolli” ajror me radar 360 shkallë, i aftë për të gjurmuar dhe identifikuar avionë ose anije nga qindra kilometra larg.

Rrezatimi i fuqishëm i avionit gjurmues mund të zbulohet nga forcat armike, por për shkak të lëvizshmërisë së tij dhe rrezes së radarit “mbi horizont”, avioni A-50 është shumë më i vështirë për t’u shënjestruar sesa sistemet e radarëve me bazë tokësore.

Sistemi i radarit të avionit është i vendosur në një “rotodome” (pjatë) të gjerë gati 10 metra, e cila rrotullohet me shpejtësinë e një grirëse akulli (slushie machine). Avioni është i pajisur me një shtresë ari në dritaret e tij për të mbrojtur ekuipazhin e tij të fluturimit nga nivelet e larta të rrezatimit që pompohen nga radari i tij.

Një ekspert ukrainas i aviacionit ka treguar se A-50 ka të ngjarë të jetë rrëzuar nga një raketë Patriot, e prodhuar nga SHBA-ja. Analistë të tjerë besojnë se një rast katastrofik i zjarrit nga mbrojtja ajrore ruse mund të jetë prapa rrëzimit të aeroplanit.

Gjatë luftës kundër Ukrainës, avionët A-50 të Rusisë thuhet se janë përdorur për të ndihmuar në drejtimin e raketave sipërfaqësore drejt objektivave ajrore. Në tetor të vitit 2023, Kremlini pretendoi se “24 avionë luftarakë ukrainas” u rrëzuan brenda pesë ditësh nga ekuipazhet e raketave S-400 duke përdorur informacionet për gjendjen në terren në kohë reale të dërguar nga një avion A-50. Ky pretendim i diskutueshëm nuk specifikoi nëse kishte dronë të përfshirë në raportin e pretenduar.

Konstantin Krivolap, një ekspert i aviacionit dhe ish-inxhinier testimi në kompaninë ukrainase të avionëve “Antonov”, tha se humbja e një prej avionëve më të avancuar dhe më të rëndësishëm të vëzhgimit të Moskës, do të kishte një ndikim të rëndësishëm në mbrojtjen ajrore të Rusisë. Duke vlerësuar se Moska ka deri në nëntë A-50 në veprim, ai tha se “humbja e një avioni të tillë do të ishte kritike, sepse tetë të mbeturit duhet të kontrollojnë të gjithë hapësirën ajrore përgjatë kufirit rus, duke filluar nga Arktiku deri në Detin Baltik, zona rreth Azisë Qendrore dhe veçanërisht Ukrainës”. Ai shtoi se, “në teori, të paktën dy ose tre avionë të tillë nevojiten rreth Ukrainës për të kontrolluar këtë hapësirë ajrore.

Kievi, gjithashtu, pretendoi se kishte “shkatërruar” një avion Il-22 në të njëjtën natë që u rrëzua avioni A-50. Fotot u shfaqën më vonë dhe tregonin se Il-22 me sa duket i kishte mbijetuar një uljeje emergjente me një bisht të dëmtuar rëndë nga copëzat.
