Danimarka pret mbretin e ri, teksa mbretëresha Margrethe largohet vullnetarisht nga froni
Mbretëresha Margrethe II, monarkja më jetëgjatë e Danimarkës, ka vendosur t’ia kalojë fronin djalit të saj të parë, Frederik, të dielën turma të mëdha janë mblidhur para parlamentit për të parë ngjarjet.
Margrethe mahniti kombin prej gati 6 milionë banorësh në natën e Vitit të Ri kur njoftoi vendimin e saj për të lëshuar fronin pas 52 vjetësh si mbretëreshë, duke u bërë monarkja e parë daneze në gati 900 vjet që hoqi dorë vullnetarisht nga froni.
Nuk do të ketë ceremoni të kurorëzimit, por pasardhësi do të marrë titullin në parlament rreth orës 13:00, në momentin kur Margrethe, 83 vjeçe, nënshkruan deklaratën e largimit të saj.
Njerëz nga e gjithë Danimarka u mblodhën në kryeqytet në shenjë të popullaritetit të madh që po gëzon monarkia.
Mbretëresha Margrethe, e njohur me dashuri si Daisy pas lules së margaritës, u urua nga kushëriri i saj, Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf, i cili vetë festoi 50 vjetorin në fron në shtator të vitit të kaluar.
Princi i kurorës, 55 vjeç, dhe gruaja e tij me origjinë australiane, Mary, 51, e cila do të bëhet mbretëreshë, ishin planifikuar të largoheshin nga pallati mbretëror me një Rolls-Royce të vitit 1958.
Nënshkrimi i abdikimit do të bëhet gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Shtetit në parlament ku do të marrin pjesë qeveria, Frederiku dhe djali i tij i madh Kristiani, 18 vjeç dhe trashëgimtari i ri i fronit.
Menjëherë pas kësaj, kryeministrja Mette Frederiksen do të shpallë mbretin e ri në ballkonin e parlamentit dhe Frederiku do të mbajë një fjalim të shkurtër, përpara se mbreti i ri dhe gruaja e tij të hipin me karrocë për në pallat.
Kompleksi Amalienborg, i ndërtuar në vitet 1750, ndodhet në qendër të Kopenhagës dhe përbëhet nga katër pallate të ndërtuara rreth një oborri tetëkëndësh. Është shtëpia e mbretëreshës që po largohet dhe e çiftit të ri në fuqi.
