Vrasja e Marigona Osmanit: Mbrojtja kërkon rritjen e dënimit për Arbër Sejdiun
Sot në Gjykatëm e Apelit, është mbajtur seanca ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, në rastin e vrasjes së Marigona Osmani.
Mbrojtja e familjes së 18-vjeçares ka kërkuar rritjen e dënimit për të dyshuarin e dytë, Arbër Sejdiut.
Avokati Gazmend Rexhepi, ka dhënë detaje për Klankosova.tv lidhur me kërkesën.
“Ne i kemi parashtruar pretendimet tona. Kemi kërkuar rritjen e dënimit, nga 15 vjet në burgim të përjetshëm nëse gjykata e aprovon kërkesën në bashkëkryerje, ndërsa nëse e lë në “ndihmë në kryerjen e vepres” kemi kërkuar dënim prej 25 vjetësh. Nuk ka ende vendim. Gjykata e Apelit nuk i komunikon vendimet verbalisht por me shkrim. Tash po presim”, tha Rexhepi.
Më 4 gusht, Gjykata Themelore e Ferizajt, e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.
Ndërsa të akuzuarit Arbër Sejdiu i janë shqiptuar 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Dy të akuzuarit, u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës, nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.
