Miftaraj pas deklaratës së Haxhiut kundër Kushtetueses: VV-ja e ka mision të targetojë armiq
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Gjykata Kushtetuese po i bllokon reformat e qeverisë në drejtësi e fusha të tjera.
Miftaraj tha se Vetëvendosja në rrugëtimin e saj e ka politikë dhe mision të identifikojë dhe të targetojë armiq.
“Për vitin 2024, për LVV armiku numër 1 i saj është Gjykata Kushtetuese. Target i lehtë për ta sulmuar, etiketuar dhe faturuar dështimet e keq qeverisjes së LVV në mbi tre vite në pushtet”.
“Reforma e dështuar në drejtësi është kontestuar edhe nga Komisioni i Venecias. Ndërhyrjet e papërshtatshme të kësaj qeverie janë konstatuar edhe nga ekspertet eminentë të Këshillit te Evropës”, shkroi Miftaraj.
Më tej, Miftaraj tha se dështimet e Qeverisë Kurti janë ekspozuar edhe nga ato pak OJQ të cilat sipas tij, kanë mbetur të pa kapura dhe që nuk kanë hyrë në raporte kontraktuale dhe financiare me ministra dhe eksponentë të qeverisë.
“Jo kompetenca, arroganca dhe qëllimet e këqija janë sinonim i kësaj qeverie, fajin dhe dështimin e keni në mesin tuaj edhe pse po akuzoni e mallkoni të tjerët”, shkroi ai.
