Pas disa shtyrjeve, nis regjistrimi i popullsisë në Malin e Zi

Në Mal të Zi, të dielën, nisi regjistrimi i popullsisë, pas shtyrjes së disa herë të datës së parashikuar, pas kërkesës së partive opozitare në vend.

Sipas njoftimeve të mëparshme, regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi duhet të kishte më 1 tetor dhe më 30 nëntor, por kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç ofroi shtyrjen e tij për disa kohë, pasi partia opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit Milo Gjukanovç, kërkoi plotësimet e të gjitha kushteve të parashikuara në marrëveshjen e firmosur mes opozitës dhe kryeministrit, për regjistrimin e popullsisë.

“Ka momente, vendime dhe veprime përmes të cilave ne maturohemi si shoqëri. Vendimet e opozitës dhe qëndrimi i unifikuar për të, është një hap në atë drejtim, është dëshmi se një vetëdije e re politike në të cilën interesi i shoqërisë dhe shtetit është mbi gjithçka tjetër”, tha me këtë rast zoti Spajiç.

Gjatë ditës së sotme, Administrata e Statistikave të Malit të Zi njoftoi se janë plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë.

Monstat u bëri thirrje qytetarëve që “të hapin derën për regjistruesit” dhe bëri thirrje që “të përmbahen nga deklaratat që nuk ndihmojnë në qetësimin e tensioneve”.

Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, sipas analistëve është shndërruar në një çështje politike mes grupimeve më të mëdha politike, të pro-malazezëve dhe të atyre pro-serbe. Analistët theksojnë se regjistrimi i popullsisë, që nisi sot, mund të përmbysë strukturën kombëtare të popullsisë në shtetin e vogël ballkanik.

Edhe në raportin e Komisionit Europian, u theksua se regjistrimi i popullsisë dhe banesave në Mal të Zi kërkon menaxhim të kujdesshëm nga autoritetet, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhet me etninë, fenë dhe gjuhën.

Go to TOP