I dyshuari i tretë i arrestuar në rastin e Liridona Murselit është pjesëtar i FSK-së dhe i afërm i Naim Murselit
I dyshuari me inicialet K. K. (Kushtrim Kokalla) i arrestuari i tretë për vrasjen e Liridona Murselit është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës.
“E konfirmojmë se personi i arrestuar është pjesëtar i FSK-së. Ai është duke u marrë në pyetje nga organet e drejtësisë”, ka konfirmuar për KALLXO.com zyra për informim e FSK-së.- thuhet në përgjigjen e tyre.
Pas marrjes së vendimeve zyrtare të institucioneve kompetente, FSK do të veprojë bazuar në ligjet dhe rregulloret e saj.
Kushtrim Kokalla pretendohet se është person i afërt e familjar (nip) i Naim Murselit, burrit të Liridona Murselit i cili ka pranuar se ka paguar për vrasjen e gruas së tij.
Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.
Ndryshe, dy të dyshuarit për vrasjen e ndodhur të mërkurën, i cili rast fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar për arrestimin e dy të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli, bashkëshortin e viktimës – Naim Murseli dhe dorasin e saj G.P (Granit Plava).
Sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.
