KMDLNj: Mungesa e transparencës së Speciales vë besueshmërinë në pikëpyetje
Pas kërkesës së ZPS-së në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar në rasti “Thaçi dhe të tjerët” për ndryshimin e kushteve të paraburgimit, Trupi Gjykues II ka urdhëruar disa masa të përkohshme për kufizimin e komunikimeve dhe të vizitave që mund t’u bëhen Hashim Thaçit, Kadri Veselit, dhe Rexhep Selimit.
Lidhur me këtë, përmes një komunikate, ka reaguar KMDLNj, duke e vlerësuar këtë si një vendim absurd.
KMDLNj fillimisht ka rikujtuar mënyrën dhe kohën e krijimit të Gjykatës Speciale, me seli në Hagë, nga Kuvendi i Kosovës, siç theksohet në komunikatë “nën një presion të jashtëzakonshëm të ndërkombëtarëve dhe me vullnetin e një pjese të subjekteve politike kosovare, me një aneks-marrëveshje”.
Sipas KMDLNj-së ky institucion nuk ofron qasje për transparencë dhe llogaridhënie ndaj institucioneve të Kosovës dhe si rrjedhojë besueshmëria e tij është në pikëpyetje.
“Ky absurditet, arrogancë dhe shpërfillje ndaj Kuvendit të Kosovës ka krijuar dhe krijon të gjitha kushtet për një proces gjyqësor të pabarabartë, paragjykues, të padrejtë ku epilogu thuaja është i ditur, edhe pa përfunduar procesi gjyqësor. Kur të merret parasysh fakti se institucionet aktuale të Kosovës nuk tregojnë asnjë interesim apo vullnet për t’u interesuar nëse pengjeve të Hagës po iu shkelen të drejtat elementare të njeriut (raste të tilla ka shumë), atëherë puna e kësaj Gjykate thjeshtëzohet në një proces teknik; ekzekutim të një vendimi politik të qendrave të vendosjes botërore”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
Nga ana tjetër, KMDLNj kritikon qasjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët, siç thuhet kanë mungesë të guximit minimal që të kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar për sajesë të provave në Hagë, pas përgjimeve të presidentit Thaçi, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetarit të GP të LVV, Rexhep Selimi gjatë vizitave familjare dhe me të tjerë, si dhe përgjimit të komunikimit elektronik bëri publik një transkript të përgjimit i redaktuar deri në shpërfytyrim (sikur edhe gjatë proceseve gjyqësore) për të kërkuar nga Gjykata Speciale Raciste që të burgosurve t’iu ndalohen vizitat dhe komunikimi, sikur që edhe ata të vendosen në dhoma të ndara, pa të drejtë dhe mundësi ta takojnë njëri – tjetrin”, thuhet tutje në komunikatë.
KMDLNj ka thënë se ende nuk ka informata të konfirmuara për masat shtrënguese ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit por se ka informata se vizitat familjare nuk iu janë ndaluar dhe as kufizuar.
“GjS në Hagë, që nga fillimi ka pasur standarde të dyfishta, si për dëshmitarët, ashtu edhe për të burgosurit, të gjithë shqiptarë, të gjithë shtetas të Kosovës”, theksohet tutje në komunikatën e KMDLNj-së. /Kosova.info/
