Qytetarët që furnizohen me ujë të Badocit, ende pa ujë të pijshëm
Tash e një muaj shumë lagje të kryeqytetit që furnizohen nga fabrika e ujit në Liqenin e Badocit, kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, po vazhdon pastrimin e linjave në zonat që furnizohen nga Badoci. Kurse Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njofton se po vazhdon monitorimi i cilësisë së ujit.
Tash e një muaj shumë lagje të kryeqytetit që furnizohen nga fabrika e ujit në Liqenin e Badocit,
kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, po vazhdon pastrimin e linjave në zonat që furnizohen nga Badoci. Kurse Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njofton se po vazhdon monitorimi i cilësisë së ujit.
Ismajl Gashi nga Mramori tregon se e mban mend ndërtimin e Liqenit të Badocit. Por jo edhe nëse ndonjëherë është përmendur rritja e nivelit të manganit në ujë.
”Liqeni nëse nuk gaboi u ndërtua në vitin 1966. Unë jam banor i këtij vendi dhe e mbajë mend kur rruga ka qenë në mes të liqenit. Jo nuk u përmend kurrë mangani siç po thuhet sot në medie”, tha Gashi.
Madje edhe pse jetojnë në Mramor, në afërsi të liqenit të Badocit, banorët nuk kanë ujë të pijshëm as kur ai është i pastër.
”Ne nuk jemi të furnizuar nga liqeni, nga puset dhe burimet e ndryshme furnizohemi. Ja sa afër jemi dhe nuk kemi furnizim përmes tij”, thotë ai.
Por banorët që furnizohen nga fabrika e liqenit të Badocit, tash e një muaj kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, së fundmi njoftuan se po vazhdojnë shpëlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare në zonat që furnizohen nga Badoci.
Situata me mangan vazhdon të jetë prezentë ku vlerat e tij ende gjinden në ujë. Prandaj, Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina, po vazhdon me shpëlarjen e linjave në zona nga ku janë të prekur banorët. E gjithë kjo me qellim të përmirësimit të kualitetit të ujit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës përmes një komunikate për medie, njoftoi se analizat e fundit laboratorike tregojnë se gjendja në liqen është qetësuar, cilësia e ujit është përmirësuar dhe pritet që në ditët në vijim të ulen vlerat e manganit në rrjet, sipas standardeve të parapara. Pas kësaj, uji do të jetë i pijshëm si më parë.
