Faktorë të ndryshëm po ndërlikojnë negociatat e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit
Vetëm një pjesë e vogël e pengjeve janë liruar deri më tani që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Hamasi – me Katarin, që luan një rol të rëndësishëm ndërmjetësues – janë angazhuar në bisedime për javë të tëra për të liruar pengjet nga Gaza.
Palët po punojnë drejt një marrëveshjeje që do të sillte një pauzë të qëndrueshme, disaditore, në luftime në këmbim të lirimit të një grupi të madh pengjesh, tha të premten një zyrtar i lartë amerikan i njohur me bisedimet për CNN.
Por faktorë të ndryshëm po ndërlikojnë përpjekjet e negociatave: Një nga ndërlikimet në bisedimet në vazhdim ka qenë verifikimi i listës së emrave të pengjeve dhe të burgosurve palestinezë që Hamasi dhe Izraeli respektivisht do të lironin si pjesë e marrëveshjes, thanë dy zyrtarë për CNN. Izraeli dëshiron të sigurohet që asnjë nga të burgosurit e liruar të mos ketë lidhje me Hamasin dhe vendi ka shqyrtuar me kujdes emrat e propozuar si pjesë e procesit, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Një faktor tjetër që i kishte ngadalësuar bisedimet ishte mungesa e informacionit për pengjet që mban Hamasi. Për shkak se grupet e tjera në Gaza, si Xhihadi Islamik, besohet se kanë marrë pengje, nuk ishte e qartë për negociatorët se kë do të mund të lironte saktësisht Hamasi si pjesë e një marrëveshjeje.
Gjatë gjithë procesit, luftimet e vazhdueshme dhe problemet logjistike kanë ngadalësuar negociatat, duke përfshirë ndërprerjet e komunikimit në Gaza që penguan liderët e Hamasit në Rrip të bisedonin me udhëheqësit e tyre politikë në Katar.
Diplomacia e komplikuar indirekte, që përfshin ndërmjetës nga Katari, ka bërë që ndonjëherë mund të duhen orë e madje ditë që mesazhet të shkëmbehen mes të gjitha palëve.
Stili indirekt i negociatave është i rëndë, pranoi një zyrtar amerikan, por i nevojshëm.
