Sanksionet e SHBA-së për Nexhat Krasniqin, debati i ashpër në Kuvend mes Kurtit e liderëve opozitarë dhe deklarata e Osmanit për Asociacionin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten bën publik vendimin për sanksione ndaj Nexhat Krasniqit, ish-drejtorit të Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.

Po të premten, kryeministri Albin Kurti raportoi në Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin e fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në seancën që zgjati 8 orë pati debate të ashpra pozitë-opozitë lidhur me Asociacionin.

Ndërkaq, gjatë javës presidentja e vendit, Vjosa Osmani takoi ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier me të cilin folën për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

SHBA i vendos sanksione Nexhat Krasniqit, ish-drejtorit të Departamentit të Prokurorimit në Ministrinë e Tregtisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë marrë vendim për sanksione ndaj Nexhat Krasniqit, ish-drejtorit të Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.

Në njoftimin e bërë nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë bëhet e ditur se Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet.

“Shtetet e Bashkuara po e caktojnë Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës që lejonte ndërtimin e një parku industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se SHBA është e angazhuar për luftimin e korrupsionit, i cili dëmton interesin publik.

“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”.

8 orë diskutim për dialogun e Asociacionin, debat i ashpër mes Kurtit dhe opozitës

Pas rreth tetë orë diskutim në Kuvendin e Kosovës, ka përfunduar të premten seanca plenare, ku kryeministri Albin Kurti ishte i ftuar për raportim në lidhje me takimin e fundit në Bruksel.

Partitë opozitare kanë kritikuar dhe akuzuar shefin e ekzekutivit se i njëjti ka pranuar asociacionin, që dikur e kundërshtonte.

Kurti para deputetëve ka thënë se me marrjen e pushtetit ka deklaruar se do të kenë qasje të re në dialog.

“Sundimi i ligjit do të vazhdojë pavarësisht dialogut. Dy vite dialog kanë sjellë një marrëveshje, është ajo marrëveshja e Brukselit. Marrëveshja siç është thënë, është marrëveshje për njohje de-facto nga Serbia. Ky është rezultati i dy viteve dialog. Marrëveshja bazike në gjashtë rreshtat e ka njohjen de-facto nga Serbia. 5 nenet tjera janë përfituese për të dyja palët. Qëndrimi i Qeverisë ka qenë dhe mbetet të zbatimi i plotë i marrëveshjes që kemi arritur në Bruksel. Në tetor kemi pritur emisarët, të cilët sollën planin për ecjen përpara. Ne e kemi mbështetur planin e ri. Kur kemi marrë qeverinë kemi thënë se na duhet një qasje e re në dialog. Draft-propozimi parasheh që duhet të shikohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës menjëherë pas nënshkrimit”, tha ai.
Kurti ka thënë se draft-statuti nuk është “Zajednicë”, ndërsa ritheksoi se është i gatshëm të nënshkruajë për draft-statutin për Asociacion.

Ai po ashtu tha se Vuçiqi ka nënshkruar me PDK dhe LDK, por jo edhe me të.

“Edhe njëherë po e ritheksoj, unë jam edhe i gatshëm për nënshkrim edhe i interesuar, Beogradi nuk po do të nënshkruaj me mua. Ka nënshkruar edhe me PDK edhe me LDK. Aman më tregon se si ja keni bërë që ta mësoj edhe unë? Dilni në foltore e më njoftoni sinqerisht e mundësisht edhe kolegialisht e vëllazërisht, si ja keni bërë që me juve nënshkruante? Mua po më ikë, nuk po nënshkruan, po shpallë zgjedhje. Në dialogun e juaj ai ishte konstant e në Kosovë mbaheshin zgjedhje, tash, unë jam konstant e në Serbi mbahen zgjedhjet”, deklaroi Kurti.

E pas deklaratave të Kurtit, i është kundërpërgjigjur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Ai ka kritikuar qeverisjen Kurti, gjersa theksoi se është vështirë të dinë “a me qesh, a me qajt”, kur 10 vjet më vonë Kurti po e mbron “Zajedicën”.

“Një dekadë e humbur….duke mashtruar… Është vështirë me ditë a me qajtë a me qesh…”, tha ai.

Pas fjalimit të Kurtit i cili kërkoi ta dijë si ia kanë bërë LDK e PDK që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nënshkruante marrëveshjet me ta, Krasniqi iu drejtua duke i thënë “a u qetësove kryeministër, se më bëre merak”.

Kreu i PDK-së tha se Kurtin e kanë ftuar për të diskutuar për draftin e Asociacionit, por sipas tij, ai është i ngarkuar nga e kaluara.

“O Albin o trim, si me nënshkrim, si pa nënshkrim, t’i ke bo pranim”, u shpreh Krasniqi.

Kreu i PDK-së, tha se kryeministri Kurti më 26 tetor e ka përmbysë karrierën e tij politike për 19 minuta, kur e ka pranuar draftin për Asociacionin.

“Draft-statuti i Asociacionit duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sërish është kthyer në vëmendje pas takimit të fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Të enjten presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, thuhet në njoftim.

Osmani gjithashtu theksoi se propozimi për draft-statutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut.

E lidhur me statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ditë më parë është deklaruar edhe ambasadori Hovenier.

Ai ka thënë se statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin ekzistues të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me letrën e Mogherinit, që thotë se nuk ka kompetenca ekzekutive.

Go to TOP