Protestë për ‘Rastin Dehari’, Gashi: Vrasja po fshihet
Me thirrjen “Drejtësi për Astritin”, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë është organizuar një protestë për aktivistin e ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili 7 vjet më parë u gjet i vdekur në Qendrën Korrektese në Prizren.
Organizatori i protestës,Tomë Gashi, njëherësh avokat i familjes Dehari, tha se protesta po mbahet për shkak të neglizhencës së Prokurorisë në hetimin në rastin e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.
“Të hënën bëhen 7 vjet nga vrasja mizore që ka ndodh nga duart e shtetit. Prokuroria Speciale tash e 5 vite nuk e ka përfunduar rastin. Vrasja është duke u fshehur dhe nuk e dimë për çfarë arsye, nuk ka informata në këtë rast”, deklaroi Gashi.
Ndërsa babai i Astriti, Avni Dehari tha se drejtësia në rastin e djalit të tij, është e drejtësi e manipuluar.
“Ka 7 vite që në si familjar po kërkojmë drejtësi. As pas 7 vjetëve nuk është zbardhur rasti dhe kjo tregon se drejtësia në rastin e Dehari është drejtësi e manipuluar nga prokurorët. Dora e vrasësit po fshihet ashtu sikurse krimi”, tha ai.
Edhe aktivistë të tjerë të LVV-së dhe pjesëmarrës në protestë kërkuan drejtësi për “Rastin Dehari”.

