Policia parandalon grabitjen e bankomatëve në rrugën Ferizaj-Prishtinë
Një grabitje në proces, i ndodhur rreth orës 4:50, në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në afërsi të rrethit të madh, afër një pike të karburantit, është parandaluar nga intervenimi i policisë.
Me këtë rast policia është sulmuar me armë zjarri nga ana e grabitësve, pos dëmeve materiale, të lënduar nuk ka.
“Disa persona, pas këtij akti, me një automjet kanë ikur nga vendi i ngjarjes në drejtim te panjohur”, ka bërë të ditur zëdhënësi i PK në Ferizaj, Kanun Veseli, duke mos dhënë sqarime te tjera, pasi që policia është duke i vazhduar hetimet.
Në vendin e ngjarjes vërehet një bankomat i demontuar dhe disa bankomate të dëmtuara, që dyshohet të ketë qenë caku i grabitjes dhe, në vendin e ngjarjes, pos policisë, është edhe prokurori i shtetit, Rasim Maloku, i cili tha se janë në vendin e ngjarjes duke i bërë hetimet dhe se konfirmoi në tërësi rastin.
