36 bidonë me materie ndezëse u gjetën në shtëpinë më të vjetër në Mitrovicë, pronari ndalohet nga autoritetet
Ndalesë 48 orëshe i është caktuar 76 vjeçarit, A.K, pronar i shtëpisë më të vjetër në Mitrovicë, e cila u dogj mbrëmjen e 31 tetorit.
Kjo për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme”, meqë i njëjti ishte në dijeni për vendndodhjen e 36 bidonëve me materie të rrezikshme-ndezëse, por nuk kishte njoftuar autoritetet e sigurisë.
Rastin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti.
”Lidhur me veprën penale ”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” të ndodhur më 31 tetor 2023, gjatë hetimeve dhe ekzaminimeve të vendit të ngjarjes, në rrugën “Nexhip Dragaj” në Mitrovicë, ku një shtëpi e pabanuar pjesë e trashëgimisë kulturore ishte përfshirë nga zjarri.
Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në mbështetje të ekspertit të zjarreve gjatë ekzaminimit në katin përdhes të shtëpisë kanë hasur tridhjetë e gjashtë (36) bidonë të mbushur të shënjuar me shenjën me materie të rrezikshme-ndezëse.
Për largimin e këtyre bidonëve janë angazhuar edhe njësi të specializuara për trajtimin e materive të rrezikshme nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Bazuar në hetimet fillestare, bëhet e ditur se pronari i shtëpisë ishte në dijeni për vendndodhjen e këtyre bidonëve ku përkundër zjarrit të shkaktuar, i njëjti nuk kishte njoftuar policinë apo zjarrfikësit .
Për të gjitha veprimet e ndërmarra hetimore është njoftuar prokurori, i cili ndaj pronarit të shtëpisë A. K., 76 vjeçar, ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh, si i dyshuar për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme” ”.
