Analistët: Meraku ia mashtroi takatin kryeministrit Kurtit
Nisur nga sentenca “meraku e mashtron takatin”, analist politik kanë vlerësuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet ta dijë takatin e vet.
Analisti Florim Zeqa, thotë se kushti i parë dhe themeltar i secilit njeri është me ia ditë vetit takatin! Kur dëshirat nuk janë në përputhje me mundësitë, njerëzit bien në konflikt me veten e tyre. Ai thotë se meraku e ka mashtruar takatin e Albinit.
“Me një Po të madhe meqë pas ngritjes në fronin e pushtetit, aq i madh ju duk vetja Albinit, saqë bota i duket e vogël, kurse njerëzit i duken si insekte të vogla që i fashitë pa i hetuar fare! Për çka edhe bashkësia e madhe ndërkombëtare më nuk i bën përshtypje. Mendon që vet është më i madhi dhe më i paarritshmi në botën shqiptare dhe jo vetëm!”, tha Zeqa për Kosova.info.
Sipas Zeqës për fatin e keq të shqiptarëve, një pjesë e konsiderueshme apo 45 % e analfabetëve funksional siç i konsideron Kurti, ashtu mendojnë!
“Kjo është e keqja më e madhe kur një masë e konsiderueshme e njerëzve bien nën hipnozën e një njeriu të vogël në rruzullin tokësorë! E quajta të vogël Albinin për faktin se shteti që ai drejton është më i vogli, jo për nga sipërfaqja, por nga takati (forca) që posedon. Unë liderët shtetërorë nuk i vlerësoj nga përmasat fizike dhe as nga aftësitë intelektuale, por i vlerësoj për nga aftësitë e të bërit politikë”, tha Zeqa.
Ai thotë se barometri i tij politik thotë, se nga vitet e ’90-ta e deri më sot, Kosova nuk ka pasur lider të përmasave më të vogla politike sesa Albin Kurti!
“Pa dashur ta zë në gojë secilin lider shtetëror në këto tre dekadat e fundit, më i madhi dhe më i paarritshmi në botën shqiptare mbetet lideri historik Ibrahim Rugova, i cili me urtinë dhe mençurinë e tij arriti t’i bëjë për vete ShBA-të dhe aleancën më të fuqishme politiko-ushtarake në botë-NATO dhe shtetet më demokratike të Bashkimit Evropian, të cilat ishin determinuese të lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë”.
Zeqa thotë se Kurti më i fuqishmi dhe i plotfuqishmi i 45 përqindëshit të sipër cekur, me 51 % të votave të fituara në zgjedhje, qëllimshëm po harron se gati gjysma e atyre votave ishin të LDK-së.
“Mirëpo, kjo nuk është e keqja më e madhe, pasi meraku për t’u dukur më i madhi në skenën politike ndërkombëtare, e ka bërë Albinin që ta harrojë takatin që e ka si udhëheqës politik i shtetit nën mbikëqyrje dhe masa të sigurisë ndërkombëtare. Sa më parë që Albin Kurti e kupton se është më i vogël sesa përmasat trupore që posedon, shtetit të Kosovës do t’i rritet nami, do të ngritët, do të zhvillohet dhe forcohet në aspektin ekonomik dhe ushtarak, aq sa për t’u bërë i barabartë me shtetet e rajonit”, tha Zeqa.
Ndërkohë analisti, Blerim Burjani, konsideron se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fuqinë se ka, por vullnetin e ka.
“Fjalori i tij politik dhe sjelljet politike tregojnë për takat, po jo edhe fuqinë për të bërë diçka më shumë. Interesimin e ka, por jo edhe fuqinë. Pra është i kufizuar shumë me kapacitetet për të bërë mbrojte sociale efektive dhe mbrojtje shëndetësore, zhvillim ekonomik dhe reformë në arsimin e lart”, tha Burjani për Kosova.info. /Kosova.info/
