Kosova këtë vit ka të mbjella mbi 1500 hektarë me arra
Në vendin tonë janë të mbjella mbi 1500 hektarë me arra. Rendimenti i sivjetmë është 30 deri në 50 përqind më i ultë.
Arsim Bellaina në fshatin Rubovc të Komunës së Lipjanit ka të mbjellë 6 hektarë me këtë kulturë. Ai tha për RTK se sëmundjet, ia kanë zvogëluar rendimentin mbi 90 përqind.
Sa i përket mbrojtjes nga sëmundjet, ai tha se brenda mundësive klimatike, i kanë realizuar ato, por, vonesat e kanë pasur ndikimin e vet në rendiment.
Vërshimet, përveç efektit negativ në rendiment, te fidanët një vjeçare kishin efekt fatal. Pas vërshimeve një parcelë rreth 2 hektarë është dashur të mbjelljet sërish.
Ai në një plantacion ka filluar të zbatojë edhe një formë të plehërimit dhe mbrojtjes nga insektet në mënyrë organike, atë të mbarështimit të patave në plantacion, prej të cilave thotë se ka përfitime të shumta.
Ndryshe nga Bellaina, fermeri Besim Dalipi, nga Bërnica e poshtme në Prishtinë, këtë vit, plantacionin me arrë e kishte në nivel më të mirë, edhe ai kishte rënie të rendimentit, por jo në masën që e hasëm në Lipjan. Dalipi ka 4 hektar të mbjellë me këtë kulturë.
Edhe në plantacionet e tij problemet e para u paraqitën nga temperaturat e ulta dhe reshjet e dendura në pranverë.
Pasi u stabilizuan reshjet ndodhi një fenomeni, tjetër, ngritja e shpejtë dhe e lartë e temperaturave, të cilat shkaktuan sëmundjet, që sipas Dalipit janë bakteriale
Për të shpëtuar pemishten ai thotë se këtë vit është dashur të trajtojnë më tepër sesa viteve të kaluara. Ai tha për emisionin ‘TOKA’, në RTK se me trajtimet shtesë ka arritur të shpëtojë 50 përqind të rendimentit.
Në rënie të rendimentit të sivjetmë ka ndikuar edhe dështimi i një pjese të madhe të plehërimit. Edhe më mirë se në Bërnicë, arrat ishin në Mleqan. Në këtë fshat të komunës së Malishevës, Avdyl Kryeziu ka të mbjellë mbi 20 hektar me këtë kulturë . Gjendja në plantacionet e tij ishte më e mirë por kushtet e sivjetme kishin pasur impakt negativ edhe te ai.
Pas reshjeve të dendura problemi tjetër që iu shfaq ishte ngritja e lartë e temperaturave. Sëmundjet kishin zvogëluar rendimentin rreth 30 përqind, që në krahasim me plantacionet tjera ishte dukshëm më i vogël.
Ai sqaron se kanë shtuar trajtimet këtë vit por rol vendimtar kanë luajtur trajtimet e kryera në kohën e duhur për bimën. Se kishte dëme të konsiderueshme në gjithë bujqësinë e vendit tonë, e pohon edhe magjistri i Pemtarisë, Behar Hyseni. Ai tha se sëmundjet e paraqitura, nuk janë të reja në vendin tonë dhe se vetëm se intensitetin e kishin më të lartë .
Krahas sëmundjeve rol të rëndësishëm në rënie të rendimentit kanë ndikuar edhe një varg faktorësh tjerë. Elementi i parë shumë i rëndësishëm është dështimi i polenizimit.
Krahas dëmeve në rendiment, në plantacionet që tashmë vilen, moti jo stabil kishte efekt negativ edhe te arrat e reja. Sëmundjet e sivjetme, nëse nuk trajtohen profesionalisht, do të kenë efekte negative edhe vitin që vjen. Për të mbrojtur plantacionet sugjerohet rritja e profesionalizmin në ballafaqim .
Përkundër problemeve që kishim sivjet, kultivimi i arrës në krahasim me pemët tjera, po vlerësohet fitimprurëse. Shitja është e sigurt, derisa subvencionet fermerët thonë se munden të jenë edhe më të mira. Në vendin tonë, tash e një kohë po kultivohet lloji i arrës Chandller. Fillimisht ajo shquhet për rendiment të lartë.
Krahas rendimentit ky lloj i arrës në krahasim me ato të mëhershme dallon edhe sa i përket përbërjes.
