Shtatë emigrantë kanë humbur jetën në një aksident në Bavari

Shtatë persona kanë humbur jetën pasi një furgon i mbushur plot me njerëz i drejtuar nga një kontrabandist i dyshuar është përmbysur, thotë policia gjermane.

Më shumë se 20 emigrantë, përfshirë disa fëmijë, mendohet se kanë qenë në furgon.

Shoferi u përpoq t’i shmangej policisë në një kontroll rrugor përpara se të humbiste kontrollin pranë vendit Ampfing në Bavari, thonë autoritetet.

Aksidenti ndodhi mes një rritjeje të kontrabandës me njerëz që ka bërë që disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore të vendosin kontrolle kufitare.

Javët e fundit ka pasur një sërë aksidentesh që përfshijnë trafikantë njerëzish në vendet evropiane.

Një makinë me targa franceze që mendohet se po trafikonte emigrantë është përmbysur të enjten në Hungari, duke lënë dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur.

Disa vende të BE-së, duke përfshirë Poloninë, Gjermaninë dhe Republikën Çeke, kanë rivendosur kontrollet kufitare javët e fundit si rezultat i një rritjeje të incidenteve të kontrabandës.

Autoritetet polake thonë se kontrollet e shtuara kanë arritur të reduktojnë numrin e kalimeve të emigrantëve.

Autostrada A94 në Gjermaninë juglindore konsiderohet si një rrugë e rregullt për kontrabandistët që kalojnë kufirin nga Austria.

Kërkesat për herë të parë për azil në Gjermani u rritën me 78% në shtatë muajt e parë të 2023.

Policia thotë se kalimi i rreth një të katërtës së emigrantëve në Gjermani lehtësohet nga kontrabandistët.

Go to TOP