Haxhiu e Deliu ballafaqohen në Komision, ministrja insiston në kthim të mjeteve, deputetja e bindur se u pagua drejtë
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit e ka shqyrtuar shkresën e Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me anëtaren e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, deputeten Blerta Deliu-Kodra.
Ministrja Albulena Haxhiu ka paraqitur pretendimet e saj në lidhje me këtë çështje, ku tha se është njoftuar që disa anëtarë të Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit nuk kanë shkuar në mbledhje dhe janë paguar.
Ajo me këtë rast ka përmendur deputeten Deliu-Kodra që sipas saj, në disa mbledhje nuk ka marr pjesë dhe është paguar, për këtë ajo tha se janë bazuar në një raport të cilin e kanë bërë në ministri.
Haxhiu shtoi se raporti përfshin punën e Komisionit prej vitit 2021 deri në korrik 2023. Ministrja me këtë rast ka përmendur edhe ditët se kur deputetja në fjalë nuk ka marr pjesë në mbledhjen e Komisionit.
“Para disa muajsh në kuadër të punës sime jam sinjalizuar nga stafi i MD-së për problemin që po diskutojmë sot. Këtë vit unë kam marr njoftimin se anëtarë të Komisionit jo më emra të përveçëm, por disa që nuk shkojnë në mbledhje dhe paguhen. Kemi nisur punën që dhe kjo ka dalë e vërtetë. Disa anëtarë që edhe pse nuk kanë marr pjesë në mbledhje, janë paguar”.
“Duke marr parasysh rëndësinë që ka ky Komision, këto nuk janë pretendime të mija, por është raporti i zyrtarëve të MD-së. Sipas raportit financiar, pagesa për Deliu-Kodrën është mbi 3 mijë e 200 euro. Unë e di që Deliu-Kodra me ka paditur për shpifje, jam e gatshme që të përgjigjem edhe këtu edhe në Gjykate, nuk ka të bëjë aspak me çështje individuale e as personale. Unë do të ballafaqohem në Gjykatë e cila do të jetë e hapur edhe për media edhe për publikun”, tha ajo.
Ndërkaq deputetja Blerta Deliu-Kodra tha se ka pasur të domosdoshme që të ballafaqohet në këtë Komision me ministren, pasi sipas saj, Haxhiu në një televizion e ka quajtur atë edhe “hajneshë”.
Sipas deputetes, Haxhiu gjitha këto vite si ministri nuk ka bërë asnjë reformë në kuadër të drejtësisë.
“Mua me vjen shumë keq që në këtë po flasim në emër të përveçëm. Të më quajë hajneshë atëherë e kam për obligim të flas hapur me angazhimin tim. Zonja ministre ju as nuk mund të më shkarkoni, mua më vjen keq që ju i përmendet me radhë mungesat e mija, një ministre që nuk ka bërë asnjë reformë. Jam kompensuar ashtu siç janë kompensuar të gjithë anëtarët si në të kaluarën. Nuk më keni dhënë ju mandat. Te me linçoni e të me etiketoni, keni dalë në media e keni shpifë, me keni krahasuar edhe me Marrin Berishaj”, tha ajo.
Ministrja Haxhiu me këtë rast ka kërkuar nga opozita që mos t’i pengojë reformat, që sipas saj, i ka nisur kjo qeveri.
“Mos na pengoni reformat, qeveria po sfidohet. Nëse nuk mund të na ndihmoni, mos na pengoni. Thatë se jeni ulur shpesh nëpër gjykata, jam ulur për gaz lotsjellës sepse ju jeni munduar që të formoni Zajednicën”, tha Haxhiu.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se pse në raport thuhet se kanë qenë edhe anëtarë të tjerë, por që ministrja e ka përmendur vetëm deputeten Blerta Deliu-Kodra dhe jo të tjerët. Sipas tij, ministrja këtë çështje e ka kthyer në personale.
“Ju e keni bërë njëfarë forme personale me Blertën. Me çfarë baze e ke iniciuar këtë kërkese, në cilin nen të ligjit bazohet për me pru këtë shkresë. Nuk është mirë ne së pari që të biem në presion të ministrit. Është një far lloj shantazhi i Ministrisë ndaj Parlamentit. Nuk jeni e sinqertë në këtë temë, e keni kthyer shumë në personale. Këtu thuhet se krejt Komisioni është paguar pa u mbajt Komisioni fare”, tha ai.
Haxhiu shtoi se nuk ka të bëjnë vetëm me deputeten Deliu-Kodra, por edhe me anëtarët e tjerë të cilëve u është kërkuar që mjetet t’i kthejnë, raporton EO.
“Së pari në momentin kur unë njoftohem për çfarëdo çështje që po ndodh, një shkelje, nëse unë nuk marr veprime bëj shkelje. Pasi që kemi marr raportet e kemi parë gjendje. Pse është specifikuar me emër të përveçëm, vendimet i kemi marr për secilin anëtar”, tha ajo.
Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, tha se në lidhje më këtë ministrja nuk do të duhej që të ishte në Komision, dhe sipas tij, detyra e saj është që të sjell raportin dhe anëtarët të vendosin.
“Unë nuk e di në këtë temë se çka lyp Qeveria këtu. Këto punë janë të ndara. As keni të drejtë në emërime, as keni të drejtë në shkarkim. Unë kërkoj që ministren dhe stafin t’i lirojmë, ne i kemi dokumentet dhe ne marrim vendim. Qeveria i sjell pretendimet, e ne më pas vendosim. Çdo çështje tjetër mendoj që është show”, tha ai.
