Federata e Xhudos e Kosovës do të bashkojë duart me Qendrën Olimpike të Trajnimit në Potsdam

Kryetrajneri i xhudos, Driton Kuka, sot ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me kryetarin e Komunës së Potsdamit Mike Schubert, ambasadorin e Kosovës në Gjermani Faruk Ajeti dhe drejtuesit e Qendrës Olimpike të Trajnimit në Potsdam të Gjermanisë.

Federata e Xhudos e Kosovës ka njoftuar se do të bëhet bashkë me Qendrën Olimpike të Trajnimit në Potsdam të Gjermanisë.

“Andaj, me këtë rast, jemi të lumtur të ju njoftojmë se Federata e Xhudos e Kosovës do të bashkojë duart me Qendrën Olimpike të Trajnimit në Potsdam në organizimin e kampeve të përbashkëta. Së bashku, do t’i përshtatemi modelit të tyre inovativ të shkollimit dhe sportit, duke ofruar një përvojë jetësore për xhudistët dhe xhudistet”, thuhet në njoftim.

“Qendra Olimpike e Trajnimit në Potsdam është e njohur për programet e saj të jashtëzakonshme të trajnimit, duke punuar me atletët/et e talentuar/a duke filluar nga mosha 12 vjeç. Përmes edukimit dhe trajnimeve sportive, kjo qendër ka nxitur me sukses rritjen e fëmijëve të talentuar në 13 disiplina sportive”. /Kosova.info/

Go to TOP