Man United me përmbysje e mposht Brentfordit, Chelsea “shkatërron” Burnleyn

Manchester United ka bërë një përmbysje në kohën shtesë kundër Brentfordit derisa Chelsea triumfoi në udhëtim te Burnley.

“Djajtë e Kuq” ishin më të mirë se “Bletat”, duke fituar në fund me rezultat 2:1.

Mathias Jensen kaloi mysafirët në epërsi pas një goditje të devijuar (26’).

Pas kësaj, Man United mori tërë posedimin duke krijuar raste të njëpasnjëshme e deri vonë portieri shqiptar Thomas Strakosha bëri super pritje.

Sidoqoftë, zhvillohej minuta e 90+4’ kur mesfushori Scott McTominay përfitoi nga një top i kthyer për ta barazuar rezultatin.

Skocezi u gjend sërish në vendin e duhur tre minuta më vonë për t’ia siguruar Unitedit pikët e plota (90+7’).

Tani, Man United mbledh 12 pikë në pozitën e nëntë në Premier League, derisa Brentford zë vendin e 14-të me shtatë sosh.

Ndërsa, Chelsea ka triumfuar bindshëm në udhëtim te Burnley me rezultat 1:4.

“Blutë” edhe pse ishin në disavantazh, arritën ta përmbysin rezultatin në pjesën e dytë për t’i arkëtuar pikët e plota.

Burnley kaloi fillimisht në epërsi me anë të Wilson Odobert që realizoi pas asistimit të Lyle Fosterit (15’).

Chelsea barazoi rezultatin pas autogolit të AMeen Ak Dakhil, i cili e dërgoi topin brenda rrjetës duke tentuar ta devijojë gjuajtjen e Raheem Sterlingut (42’), rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë.

Në pjesën e dytë, Chelsea ishte shumë herë më e mirë duke e përmbysur pas vetëm katër minutave, me Cole Palmer që realizoi nga pika e bardhë (49’).

Për golin e tretë u përkujdes Raheem Sterling që shënoi nga afërsia pas asistimit të bukur të Conor Gallagher (65’).

Ndërsa, fitoren e vulosi qendërsulmuesi Nikolas Jackson pas një asistimi të Palmer (75’).

Me këtë tre pikësh, Chelsea ngrihet në pozitën e nëntë me 11 pikë derisa Burnley zë vendin e 18-të me katër sosh.

Go to TOP