Ministrja Hajdari më 9 tetor ulet në gjykatore për aksidentin që goditi një nëntëvjeçare
10 muaj nga seanca e fundit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën e radhës për rastin ku ministrja Rozeta Hajdari po gjykohet se goditi me veturë këmbësoren nëntëvjeçare dhe kjo ndodhi vetëm pas raportimit të KIKS Kosovës.
Kjo seancë është caktuar të mbahet më 9 tetor të 2023-ës.
Kiksi raportoi se nëse gjykata nuk merr asnjë veprim, kjo lëndë rrezikonte të parashkruhej dhe ministrja të mos dënohej fare për aksidentin e 10 prillit të 2022-ës.
Mosveprimi i gjykatës rrodhi nga vonesa e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës për të dorëzuar super-ekspertizën e këtij aksidenti, për të cilën Kiksi raportoi se e vonoi më shumë se 9 muaj.
Vetëm pas raportimit të emisionit, kjo super-ekspertizë, rezultati i të cilës u publikua ekskluzivisht në KIKS, u dorëzua në Gjykatë më 20 shtator.
Ndër të tjera, kjo super-ekspertizë konstatoi se ministrja Hajdari e shkaktoi aksidentin për shkak të mungesës së kujdesit dhe frenimit me vonesë.
Kjo super-ekspertizë fajtor për këtë aksident kishte lënë edhe këmbësoren nëntëvjeçare, për të cilën kishte konstatuar se e kishte kaluar rrugën me hapa të nxituar dhe në mënyrë të papritur.
Avokati i nëntëvjeçares, Florim Shefqeti në një intervistë për Kiksin, ditën kur u publikua super-ekspertiza uroi që rasti të përfundojë dhe lënda të mos parashkruhet.
Seanca e fundit lidhur me këtë rast është mbajtur më 8 dhjetor të vitit 2022.
