Policia dhe Dogana identifikojnë dhe kapin një sasi të kokainës

Policia dhe Dogana e Kosovës, gjatë planit taktik, kanë identifikuar një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë.

Në një njoftim për media nga Policia e Kosovës, thuhet se  në pikëkalimin kufitar në Vërmicë nga Policia e Kosovës, konkretisht nga Departamenti i Policisë Kufitare është organizuar një plan taktik së bashku me zyrtarët doganorë të RKS-së, ku janë profilizuar dhe selektuar  për t’i  dërguar në kontroll të vijës së dytë automjete dhe persona me potencial kriminal.

“Gjatë operacionit taktik është ndaluar një veturë me targa të huaja e cila pas nënshtrimit të procedurave të parapara në pikë kufitare, është selektuar për kontroll në vijën e dytë të kontrollit, ku gjatë kontrollit të mjetit të lartcekur në një kuti çamçakëzi brenda një çante është gjetur një qese me pluhur të bardhë, substancë e dyshuar e llojit kokainë, në sasi prej rreth 8 (tetë) gramësh”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë e antidrogës për procedura të mëtejme dhe ndaj automjetit të përfshirë në rast është realizuar edhe një kontroll me skan, me ç’rast nuk është gjetur asgjë tjetër e dyshuar.

Lidhur me rastin drejtuesi i mjetit  i dyshuari Y. M. dhe pasagjerët me iniciale A. A. e N. A. dhe E. O që të gjithë shtetas të huaj, janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së për intervistim, ku gjatë intervistimit nën prezencë të avokatit sipas detyrës zyrtare, i dyshuari me iniciale Y. M. ka pranuar se sasia e substancës së dyshuar i përket atij dhe se e njëjta është blerë në Republikën e Shqipërisë.

“Pas konsultimit me prokurorin kompetent, me urdhër të të njëjtit personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj të njëjtit është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, pasaporta e personit të dyshuar dhe substanca e dyshuar narkotike janë sekuestruar për procedura të mëtejme hetimore”, përfundon njoftimi. /Kosova.info/

Go to TOP