RTK dhe RTSH thonë se po bashkëpunojnë si asnjëherë më parë, e hapin edhe një zyrë të përbashkët
Është nënshkruar memorandumi i ri i bashkëpunimit në mes Radiotelevizionit të Kosovës dhe Radiotelevizionit Shqiptar. Memorandumi i sotëm është në vazhdën e thellimit të bashkëpunimit në mes këtyre dy mediumeve publike.
Drejtuesit e Radiotelevizionit Shqiptar u pritën nga drejtuesit e Radiotelevizionit të Kosovës dhe bashkë vizituan edhe hapësirat punuese të mediumit publik në Prishtinë.
Me këtë rast të dy drejtuesit e Radiotelevizioneve, nënshkruan edhe një marrëveshje tjetër bashkëpunimi, kësaj radhe atë të krijimit të zyrës së përbashkët RTK – RTSH, e cila do të shërbejë për shkëmbimin e materialeve programore.
“Mendoj se ajo çfarë kemi bërë sot përveç racionalizimit edhe të shpenzimeve, e sjell publikun e Kosovës dhe të Shqipërisë më afër njëri-tjetrit, sepse në vend që të kemi vetëm nga një korrespodentë jemi duke i shndërruar të dy transmetuesit publik në shërbim të njëri – tjetrit. Pra, ne do të kemi qasje 24 orë në javë në programet e RTSH-së dhe njëjtë edhe RTSH do të ketë qasje në programin tonë”, tha pas nënshkrimit të memorandumit, Shkumbin Ahmetxhekaj , Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së.
Ai tha se në kuadër të këtij bashkëpunimi gazetarët e të dy mediumeve do të jenë në lidhje të drejtpërdrejta e po ashtu edhe në storiet që do të kërkohen nga njësitë e informacionit apo programacionit.
“Ky është një bashkëpunim që deri më tash nuk ka ekzistuar në këtë formë dhe jam shumë i lumtur që arritëm ta finalizojmë në një kohë rekord. Ne, sot po ashtu u dakorduam edhe për projektet tjera të rëndësishme, të cilat do të zbulohen në ditët në vazhdim e që në një formë konfirmojnë përcaktimin tonë që të punojmë bashkë dhe të sjellim gjëra të mira për publikun”, shtoi Ahmetxhekaj.
Ndërkaq, Alfred Peza, Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së e vlerësoi si shumë të rëndësishme marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy transmetuesve publik. “Gjëja kryesore është krijimi i një zyre të përbashkët për bashkëpunimin e pandërprerë, 24 orë në 7 ditë të javës me kolegët tanë në Prishtinë për të shkëmbyer informacione, programe dhe gjithçka tjetër në interes të dy televizioneve tona, për ta informuar sa më mirë publikun shqiptar këndej dhe andej kufirit”, tha Peza.
Në këtë takim, dy drejtuesit e televizioneve u dakorduan për jetësimin e projekteve tjera në të ardhmen për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin në mes dy mediumeve.
