Krasniqi: Qeveria e ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se dështimi i qeverisë për të filluar regjistrimin e popullsisë e rikonfirmon edhe një herë paaftësinë për veprim në të gjithë sektorët e shtetit.
Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se një nga arsyet pse po shtyhet regjistrimi i popullsisë nga 1 shtatori për në 1 nëntor është se “qeveria e ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit”.
Sipas tij, ekzekutivi nuk është i aftë që t’i regjistrojë qytetarët në atë pjesë të vendit, teksa listoi edhe disa arsye të tjera.
Postimi i plotë:
Dështimi i Qeverisë për të filluar regjistrimin e popullsisë, rikonfirmon edhe një herë paaftësinë e thellë e cila tashmë është bërë sinonim i çdo veprimi nëpër të gjithë sektorët e shtetit.
Fillimisht, e shtynë këtë proces nga viti i kaluar, ndërkaq, tash, nga 1 shtatori kur është dashur të filloj, e shtyen përsëri për disa muaj. Në fakt, rreziku është që regjistrimi i popullsisë të mos bëhet fare këtë vit, e Kosova të lihet pa statistika legjitime dhe tejet të rëndësishme.
Përkundër arsyetimeve të rreme të Qeverisë, ekzistojnë disa arsye, tërësisht politike se pse po shtyhet regjistrimi i popullsisë.
E para: Qeveria e ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit, andaj s’është e aftë që t’i regjistrojë qytetarët atje.
E dyta: emigrimi masiv i qytetarëve të Kosovës, ku, vetëm brenda këtyre mbi dy viteve të kësja qeverie, janë larguar nga vendi rreth 150 mijë qytetarë.
E treta: katrahura që e ka kapluar Agjencionin e Statistikavë të Kosovës, për shkak të ndërhyrjeve politike e partiake në të nga ana e Qeverisë.
Qytetarët e Kosovës, së paku meritojnë një shpjegim të sinqert nga Qeveria për këtë skandal të ri. Regjistrimi i popullsisë është jetik për krijimin e politikave dhe veprimeve të mirëfillta dhe afatgjata qeverisëse, në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.
Prandaj, i bëjë thirrje Qeverisë që të ndaloj shkatërrimin e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, përmes ndërhyrjeve dhe trysnisë së përditshme politike, dhe të punojë urgjentisht që procesi i regjistrimit të popullsisë të fillojë sa më parë.
Pa statistika s’ka planifikim. Pa planifikim s’ka progres! Por, fatkeqësisht, ne kemi nje Qeveri që punon edhe pa plan edhe pa program.
