Ministri gjerman i Financave Lindner mbërrin në Kiev
Ministri i Financave i Gjermanisë, Christian Lindner, ka mbërritur në Ukrainë për bisedime politike në vizitën e tij të parë në vend që nga pushtimi i plotë i Rusisë, vitin e kaluar.
Lindner mbërriti në Kiev me tren sot në mëngjes. Kjo është hera e parë që ministri viziton Ukrainën që nga pushtimi rus, i nisur më shumë se 17 muaj më parë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe disa ministra të tjerë tashmë kanë vizituar kryeqytetin ukrainas pas pushtimit.
Pas mbërritjes, Lindner tha se ishte një moment i veçantë dhe emocionues për të, që të ishte në Kiev.
Ai vizitoi Kievin për herë të fundit në fillim të vitit 2020, dhe u njoh me një vend që i jepte prioritet demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
“Sot jam më i bindur se kurrë se kjo ishte arsyeja pse Rusia sulmoi Ukrainën”, tha Lindner.
Lindner tha se vlerat perëndimore po mbroheshin në Ukrainë, që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt 2022.
“Ajo që është në rrezik këtu, është e ardhmja e rendit evropian të paqes dhe lirisë”, tha ai.
“Gjermania do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me Ukrainën. Ukraina nuk duhet ta humbasë këtë luftë”, tha Lindner.
Gjermania ka mbështetur Ukrainën me dërgesat e armëve dhe aktualisht po zhvillohet një debat në Gjermani për dërgimin e mundshëm të raketave “Taurus”.
