Tre policët e Kosovës, të arrestuar nga Serbia, do të mbrohen në liri

Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, u liruan.

Avokati nga Beogradi, Gradimir Nalliq, i cili i përfaqësoi ata, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se policëve u është hequr paraburgimi dhe se “ata po lirohen”.

Nalliq tha se aktakuza kundër tyre është konfirmuar, por se ata do të mbrohen në liri.

Ai tha se policët do të kthehen në Kosovë dhe shtoi se është në “interes të klientëve” që të mos japë më shumë informacone.

Drejtësia në Serbi i ngarkoi tre policët me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.

Atyre iu shqiptua masa e paraburgimit më 16 qershor, por nuk ishte e qartë kohëzgjatja e saj.

Arrestimi i tyre nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkoi vazhdimisht lirimin e tyre.

Qeveria e Kosovës pretendoi se ata janë arrestuar në territorin e saj, por në Serbi e mohuan këtë.

Go to TOP