Në ditën e festës së Kurban Bajramit, Specialja pritet të mbajë seancë gjyqësore dhe konferencë për media
Sipas kalendarit të festave zyrtare për vitin 2023 në Republikën e Kosovës, 28 qershori 2023, dita e mërkurë do të jetë festë zyrtare, konkretisht Bajrami i Vogël, por që po atë ditë Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë planifikuar të mbajnë seancë gjyqësore dhe konferencën javore për media.
Në kalendarin në web-faqe të DhSK-së, 28 qershori është e planifikuar për seancë gjyqësore për çështjen e Pjetër Shalës.
Kjo seancë parashihet të fillojë në orën 09:45 dhe të përfundojë në orën 16:00, por që transmetimi i saj do të jepet me 45 minuta vonesë.
Në anën tjetër, gjatë informimit javor për media, sot më 22 qershor, Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, njoftoi se informimi i rregullt javor për javën e ardhshme do të mbahet të mërkurën, më 28 qershor në orën 14:30, për arsye se enjtja është pushim zyrtar për DhSK-në.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) funksionojnë mbi bazën e nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. /BetimipërDrejtësi
