Avokati Qerkini: Vendimi i MINT-it për Klan Kosovën është jashtë sensit logjik dhe juridik

Avokati Artan Qerkini, në Rubikon të Klan Kosova, ka thënë se vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për t’ia pezulluar certifikatën e biznesit Klan Kosovës, është jashtë sensit logjik dhe juridik.

“Vërtetë është jashtë sensit logjik dhe juridik ky vendim ngase ju mund ta shihni edhe prej pjesës arsyetuese kualiteti i një vendimi shihet nga pjesa arsyetuese. Ju i keni 5-6 rreshta arsyetim për një vendim kaq të rëndësishëm”, deklaroi Qerkini.

Ai thotë se rruga ligjore është dhënë vet në vendimin, të cilin e quan “shumë kontrovers” sepse thotë që aty është dhënë një udhëzim juridik për ankesë që i bie se brenda afatit ligjor duhet të parashtrohet ankesa, dhe nëse parashtrohet ankesa, ky vendim për pezullim nuk është i formës së prerë.

“Pra, ankesa e pengon që ai vendim të bëhet i ekzekuteshëm, mirëpo sa i përket vet vendimit, asnjë dispozitë ligjore e Ligjit për Shoqëritë Tregtare nuk e autorizon drejtorin e përgjithshëm të ARBK-së të nxjerrë vendim për pezullimin e licencës, sepse baza ligjore të cilës i referohet në hyrje të këtij vendimi është totalisht kundërthënëse me vet përmbajtjen e vendimit. Sa i përket biznese, një biznes mund të shuhet me iniciativën e pronarëve, pastaj mund të jetë biznes pasiv nëse për vite nuk deklaron në ATK, deklaron me zero, dhe ai shkon me automatizëm në biznes pasiv. Mirëpo kjo procedurë nuk njihet. Ekzistojnë raste kur një akt administrativ mund të anulohet nga organi që e ka nxjerrë apo nga organi mbikëqyrës, mirëpo akti administrativ, jo certifikata sepse certifikata nuk është akt administrativ, për me qenë një akt administrativ duhet me pas një hyrje, një dispozitiv, një arsyetim dhe një udhëzim për mjet juridik. Certifikata këto nuk i ka. Kështu që nuk mund të përdoret në procedura për revokimin e një akti administrativ. Është shumë e çuditshme”, theksoi ai.

Tutje, avokati Qerkini tha se është vështirë të kategorizohet ky veprim i MINT-it, ngase, thotë ai, “një vendim apo veprim administrativ është i fuqishëm aq sa organi që e nxjerrë mund ta arsyetojë duke iu referuar kushtetutës dhe ligjit”.

“Nëse ju e merrni vendimin e shihni se referenca është krejt e gabuar. Thuhet çështje paraprake. Por, çka është çështja paraprake? Çështja paraprake është një çështje e cila mund të zgjidhet nga një organ tjetër, apo nga organi që e zhvillon procedurën dhe që ndikon në epilogun final të çështjes administrative. Për shembull, nëse dikush aplikon për një pozitë për të cilën duhet me pas shtetësinë e Kosovës, çështja paraprake është shtetësia e Kosovës dhe mund të vendoset në këtë procedurë apo në procedurën atje pranë MPB-së. Kjo çështja paraprake unë nuk e di se çka është kjo… procedura administrative zhvillohet gjatë fazës së regjistrimit të biznesit”, tha Qerkini.

Ai tha se KPM-ja minimalisht duhet të presë që ky vendim të bëhet i formës së prerë. “Nëse vendimi e ka një vendim juridik për ankesë, e ankesa e pengon që një vendim të bëhet i formës së prerë, atëherë ata minimalisht duhet të presin që ky vendim të bëhet i formës së prerë pasi që Klan Kosova ta shfrytëzojë të drejtën për ankesë sipas udhëzimit në Komisionin e Ankesave pranë MINT-it. Afati është 30 ditë. Pastaj, sa i përket procedurave ligjore, nëse Klan Kosova është e pakënaqur me vendimin e organit të shkallës së dytë, mund të iniciojë konflikt administrativ në gjykatën Themelore në Prishtinë apo meqenëse është biznes tani në Gjykatën Komerciale, dhe të kërkojë shtyrje të ekzekutimit të vendimit. Të gjitha këto procedura duhet të zbatohen në mënyrë që KPM-ja të vihet në lëvizje ngase ata potencialisht mund të thonë se një prej kushteve për regjistrim është certifikata e biznesit, e nëse ajo është hequr atëherë po mungon një kusht ligjor, potencialisht. Mirëpo, duhet të presin të gjitha procedurat gjyqësore”, u shpreh avokati Artan Qerkini.

Ai tha se absolutisht kjo nuk është çështje për trajtim nga KPM-ja. 

Go to TOP