AGK-ja reagon pas vendimit të MINT-it për Klan Kosovën
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar duke thënë se është “thellësisht i tronditur me njoftimin e MINT-it për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova”, siç thuhet, “përmes një vendimi të paargumentuar, pa specifikim të bazës ligjore dhe pa paralajmërim”.
“AGK-ja, e konsideron veprimin e qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si të paprecedentë në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të Klan Kosovës”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Gjithashtu, është thënë se AGK-ja konsideron se “ ky vendim është marrë për të dërguar mesazh tek mediat tjera dhe është dëshmi e pakontestueshme që liria e medias dhe e shprehjes asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik se sa aktualisht”.
AGK-ja ka theksuar se do të jetë në kontakt me organizatat partnere ndërkombëtare për lirinë e medias për të denoncuar këtë akt të Qeverisë.
