Sekuestrohen barna pa banderola në Skenderaj
Njësitet e Doganës së Kosovës kanë kryer kontroll në një barnatore të dyshuar për mallra të kontrabanduara në Skenderaj, gjersa kanë sekuestruar barna pa banderola.
Përmes njoftimit të Doganës, kontrollet janë kryer pas pranimit të informatave nga qytetarët.
“Zyrtarët e Doganës kanë kryer një kontroll në një barnatore. Kontrolli ka zbuluar mallra, respektivisht barna të pazhdoganuara (pa banderola) në sasi të konsiderueshme. Të gjitha mallrat janë konfiskuar, si dhe ka filluar procedura kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Dogana e Kosovës ka aplikacionin “eDogana” për pajisjet e mençura Android dhe Ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve joprofesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.

