Jabllanoviq: Vendimi i kryetarëve të PDK-së në komunat veriore duhet të jetë shembull për Hetemin dhe Kurtin

Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, ka deklaruar se hyrja e kryetarit të ri të Leposaviqit, Lulzim Hetemit, me dhunë ngjalli reagimin e protestuesve serbë.

Jabllanoviq këtë e ka deklaruar në një intervistë për Gazetën Insajderi, teksa e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për, siç tha ai, shkaktim të një konflikti që s’po i shihet fundi.

“Mendoj se ai është thjesht një instrument shpenzues i politikës shoviniste të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit. Lulzim Hetemi dhe VV nuk arritën t’i rikthejnë institucionet e Kosovës në veri, por përkundrazi shkaktuan konflikte dhe tensione, fundi i të cilave nuk po shihet dhe rrezikon të jetë parathënie e një konflikti më të gjatë e më të madh me pasoja të paparashikueshme”, deklaroi ai.

Sipas Jabllanoviq, për t’u qetësuar situa në veri, së pari duhet të largohen Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nga veriu dhe puna e kryetarëve të rinj të bëhet jashtë objekteve komunale. Jabllanoviq ka lavdëruar kryetarët e sapozgjedhur të veriut nga radhët e PDK-së, të cilët nuk kanë dale në objekte komunale përgjatë ditës së sotme.

“Lëvizja e kryetarit të PDK-së është dëshmi se ka edhe një anë të arsyes tek politikanët shqiptarë, dhe është dëshmi edhe sot se, përveç të gjitha partive të tjera në Kosovë, PDK është e atyre partive që në mënyrë pragmatike dhe racionale mbrojnë vullnetin e votuesit e tyre dhe interesat e shumicës së qytetarëve.  Vendimi i tyre duhet të jetë shembull dhe mesazh për Lulzim Hetemin se mënyra që ai zgjodhi në marrëveshje me shefin e tij Albin Kurti është thellësisht e gabuar, e dëmshme për serbët dhe shqiptarët, e dëmshme për Kosovën dhe shkatërron reputacionin e një institucioni siç është Policia e Kosovës, e cila deri më 26.05 për mendimin tim ajo kishte autoritet të madh edhe te serbët”, deklaroi ai.

Go to TOP