Psikologja: Fëmijët e vetëm në klasë mund të kenë humbje të vetëbesimit
Gjërat dhe personat që i rrethojnë njerëzit gjatë fëmijërisë së tyre kanë ndikim në ndërtimin e tyre si personalitet.
Njëra ndër to është edhe shoqëria që i rrethon.
E pikërisht një gjë e tillë u mungon nxënësve të disa shkollave në Kosovë, të cilët mësimet i ndjekin si nxënës të vetëm në klasa, raporton Kiks Kosova.
Për ndikimin që mund të ketë në jetën e fëmijëve ky fenomen, e sqaroi për KIKS Kosovën psikologja shkollore, Fjolla Hadri.
Si pikë kryesore, të cilën mund ta prekë mossocializmi i fëmijëve qysh në moshat e hershme, Hadri përmendi vetëbesimin.
Ajo shtoi se për këta nxënës mund të jetë problem edhe mungesa e vëmendjes së mësimdhënësit, duke qenë se tashmë ishte mësuar ta ketë atë gjatë gjithë kohës.
Vetëm një karrige me një nxënës në klasë, sipas psikologes Hadri, mund të ndikojë edhe në disponimin dhe motivin e mësimdhënësve.
Krahas zonave rurale, të cilat përballen me mungesë të nxënësve, qëndrojnë shkollat e kryeqytetit, klasat e të cilave shpeshherë mund të jenë të stërngarkuara.
Hadri për KIKS-in sqaroi edhe gjendjen e fëmijëve që vijojnë mësimin nëpër klasa bashkë me më shumë se 30 shokë e shoqe.
Ajo tha se për mësimdhënësit në këto shkolla mund të mos ketë përputhje të kohëzgjatjes së orës dhe numrit të nxënësve, si pasojë e së cilës mund të pësojnë fëmijët.
