Gazetarët ukrainas dhe afganë pajisen me kartela udhëtimi nga “Trafiku Urban”

Nga sot deri në fund të vitit 2023 kolegët ukrainas dhe afganë të strehuar në Kosovë do të udhëtojnë falas në të gjitha linjat e “Trafikut Urban” në Prishtinë.

Sipas njoftimit, këtë vendim e ka miratuar Komuna e Prishtinës, me kërkesën e paraqitur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, për të pajisur me kartela 18 gazetarë të strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.

“Kartelat e udhëtimit ia ka dorëzuar sot drejtores ekzekutive të AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike ‘Trafiku Urban’, Burim Maraj”, thuhet në njoftim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me këtë rast falënderon për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e frytshëm Komunën e Prishtinës dhe ndërmarrjen publike “Trafiku Urban”.

Kujtojmë se gazetarët janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, i cili është iniciuar nga “European Centre for Press and Media Freedom” ECPMF, e mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe iniciativa “Hannah Arendt”.

Go to TOP