Arben Blakaj deklarohet pas lirimit nën akuzat për ngacmim seksual: Jam i pafajshëm, rasti u montua
Arben Blakaj është liruar dje pas marrjes në pyetje nga Prokuroria Themelore në Pejë. Ai ishte arrestuar të mërkurën në shkollën “Hysni Zajmi” në Vrellë, pasi dyshohej se e ka ngacmuar seksualisht një nxënëse.
Ai ka thënë se arrestimi i tij dhe i tërë rasti i është montuar
“Jam liruar mbrëmë pasi jam marr në pyetje nga Prokurori. Krejt ky rast më është montuar. Vajza për të cilën aludohej në rast është familjare e imja dhe nuk kishte asgjë të vërtetë në tërë këtë ngjarje. Unë jam baba i tre fëmijëve dhe është e ulët ajo që më është bërë mua”, është shprehur ai.
Policia e Kosovës konfirmoi të mërkurën lirimin e Blakajt. Zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi, tha se pas arrestimit dhe intervistimit të tij nga ana e Policisë dhe pasi është njoftuar Prokurori i Shtetit, ai ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale, “andaj i dyshuari është liruar”.
“Pas intervistimit nga njësitet përkatëse policore është njoftuar prokurori i cili ka vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale”, tha Gashi.
Ngjarja ka ndodhi dje rreth orës 13:00 pasi Policia e Kosovës u njoftua për një rast ku u dyshua se një nxënëse e një shkolle në Istog ishte pre e ngacmimit seksual nga punëtori teknik i shkollës.
