Liderët urojnë besimtarët për festën e Fitër Bajramit
Liderët institucionalë dhe ata partiak kanë uruar besimtarët e fesë islame me rastin e festes së Fitër Bajramit.
Në mesazhet e tyre, ata kanë uruar që kjo festë të sjellë gëzim, paqe dhe solidaritet në mesin e besimtarëve.
Në mesazhin e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar që kjo ditë të shërbejë për t`u ofruar me njëri-tjetrin.
“Uroj që Fitër Bajrami të kalojë në atmosferë dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi. Kjo festë që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor, një trashëgimi e jona e bartur ndër breza”, është thënë në urimin e Presidentes.
Ajo është lutur për pranimin e sakrificave të besimtarëve gjatë muajit të Ramazanit.
“Le të shërbejë kjo ditë feste për t`u ofruar me njëri-tjetrin, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë. U pranofshin lutjet tuaja dhe sakrifica përgjatë muajit të Ramazanit dhe ju përcjelltë gjithnjë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja!”, është thënë në urimin e shefes së shtetit.
I pari që ka uruar ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar kjo festë të gjithë esibmtarëve ua mbushtë zemrat me mirënjohje.
Ai ka uruar që kjo festë të ju sjellë gëzim dhe paqe.
“Me fat Fitër Bajrami! Pas një muaji përkushtim e sakrificë për lartësim shpirtëror, uroj që kjo festë të ju sjellë gëzim dhe paqe! Si ditë e besimit dhe shpresave të reja qoftë ditë e ripërtëritjes së dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Në solidaritet me të varfërit e të vetmuarit, kjo festë ua mbushtë zemrat me mirënjohje. Uroj mirësi e begati në shtëpitë tuaja dhe në shtetin tonë!”, ka shkruar Kurti.
Besimtarët i urojnë edhe Haradinaj e Hoti
Edhe përfaqësuesit e partive opozitare kanë uruar besimtarët myslimanë për festen e bajramit.
Në urimin e tij, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Fitër Bajramit nuk është thjeshtë një festë fetare.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo festë është një ditë që përkujton rëndësinë e mirësisë, faljes, dhe solidaritetit.
“Festa e Fitër Bajramit nuk është thjeshtë një festë fetare. Është një ditë që na përkujton edhe njëherë rëndësinë e mirësisë, faljes, dhe solidaritetit. Na përkujton se sa e rëndësishme është t’i mbajmë zemrat e pastërta dhe t’i hapim krahët atyre që kanë nevojë. Uroj që ky mesazh të përcillet gjeneratë pas gjenerate, duke ndarë të mirën dhe duke dëshmuar humanizmin, si vlerë e jona e patjetërsueshme. Me mesazhet që përçon kjo festë, uroj Bashkësinë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë shqiptarët myslimanë, kudo që jetojnë ata. Me fat Fitër Bajrami!”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka uruar besimtarët myslimanë për festen e Fitër Bajramit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se lutet që kjo festë të gjithë besimtarët dhe familjet e tyre t’i përcjellë me mirësi dhe begati.
“Me fat festa e Fitër Bajramit! Uroj që të gjithë besimtarëve muslimanë tu pranohet agjërimi i muajit të Ramazanit dhe lutjet që kanë bërë gjatë këtij muaji të shenjtë. Muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës. Besimtarët në këtë muaj përveç sakrificës forcojnë mirëkuptimin, dashurinë, dhembshurinë, lutjet për të afërmit e bamirësinë. Me shpresën për ditë më të mira, lutem që kjo festë të gjithë besimtarët dhe familjet e tyre t’i përcjellë me mirësi, begati, lumturi, harmoni dhe paqe. Agjërim dhe lutje të pranuara! Me fat festën e Fitër Bajramit! Zoti i bekoftë familjet tuaja!”, ka shkruar Hoti.
Tërnava me mesazh për ikjen e të rinjve nga Kosova
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka kërkuar nga të rinjtë që të mos largohen nga Kosova.
Në hytben e faljes së namazit të Fitër Bajramit, ai ka bërë me dije se lëshimi i vendit nga të rinjtë dhe profesionitet nuk është zgjedhje.
“Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë botë nuk e ka qëllim e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti që vendi ynë, me angazhimin tonë, të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet”, ka vlerësuar Tërnava.
Në adresimin e tij, Tërnava ka bërë me dije se të gjithë duhet të bëjnë përpjekje për ta ndërtuar të ardhmen në Kosovë.
“Ka dashtë Zoti që tash e sa vite vendi ynë është i lirë e i pavarur, mirëpo është obligim yni që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë me perspektivë, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanë të rriten të sigurt e të marrin edukim e arsimim cilësor, një vend ku sigurojmë vende pune e jetesë të dinjitetshme. Dikur lirinë e vendit e kishim ide e projekt, ndërsa tani falë sakrificës shekullore të popullit , tash e sa kohë shtetin tonë e kemi realitet, por, si qytetarë të këtij vendi, e kemi obligim që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë, që ta bëjmë atë të jetueshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, është shprehur Tërnava.
