Gashi për zhvillimet në KEK: Keqpërdorimi ka qenë shumë i madh
Lidhur me zhvillimet e fundit në KEK dhe arrestimin e drejtorit Nagip Krasniqi, analisti Astrit Gashi, ka thënë se keqpërdorimet në KEK, edhe në të kaluarën edhe tash po vazhdojnë. Sipas tij, dy vitet e fundit, ka pasur shumë tenderë njëburimor.
“Dy vitet e fundit ka shumë tenderë njëburimor, dhe tenderë që për shkak të procedurës që involvojnë diskutimet, janë të vështira, dhe e vendosin në një rrezik për shkelje ligjore. Kemi pas një keqmenaxhim të shumëfishtë në KEK, që është përcjell me prodhim më të vogël të energjisë, po ashtu me shpenzim të dhjetëtra miliona parave në import, për t’i kompensuar edhe pjesën e mosprodhimit të energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Ai e ka përmendur edhe raportin e KEK-ut të vitit 2021, ku thuhet se janë 214 mijë megawat më pak të prodhuara se një vit më herët.
Gashi ka thënë se brenda KEK-ut, ekziston një “luftë” mes dy menaxhmenteve, të cilët sipas tij kanë dërguar materiale e prova në prokurori kundër njëri-tjetrit.
“Keqpërdorimi ka qenë shumë i madh, shoh një luftë ndaj dy menaxhmenteve në KEK, ka dërgu mjaftueshëm material në prokurori, dy menaxhmente të emëruar nga Qeveria Kurti 1 dhe 2. Kanë furnizuar prokurorinë, me elemente potenciale të keqpërdorimeve për njëri-tjetrin. Luftat e brendshme janë evidente, keqpërdorimet janë evidente”, ka thënë ai në emisionin “Debat Plus”.
Drejtori i KEK-ut, është dërguar në paraburgim, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
