Hoti me paralajmërim të frikshëm pas mbrojtjes së drejtorit të KEK-ut nga pushteti i VV-së

Ish-kryeministri i Kosovës njëherit deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka bërë një paralajmërim të frikshëm pasi pushteti doli në mbrojtje drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua të mërkurën në Prishtinë.

Hoti ka thënë se reagimi i pushtetit pas arrestimi të drejtorit të KEK-ut do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejtë Këshillit të Evropës dhe BE-së.

Reagimi i pushtetit për arrestimet e ditës së djeshme në KEK, duke e kritikuar dhe kërcënuar organin e akuzës, e jo duke e mbështetur atë dhe kërkuar drejtësi efektive, do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit të sivjetmë në Këshillin e Evropës e nesër në Bashkimin Evropian. Jam i sigurt se raporti për vendin i BE-së dhe raporte të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të evidentojnë me notë shumë negative këtë sjellje të mazhorancës në Kosovë ndaj arrestimeve të lidhura me afera të mundshme korrupsioni. Këto reagime duhet thënë se janë të paprecedent.” – ka shkruar fillimisht Hoti në Facebook.

Më tej, ai ka pyetur se pse po frikësohet pushteti nga hetimi i aferave korruptive dhe pse po sulmohen organet e drejtësisë.

Pse gjithë kjo frikë nga hetimi i aferave të mundshme korruptive? Pse sulmohet organi i akuzës nga Prishtina e nga Tirana, e nuk dënohet akti i mundshëm korruptiv dhe nuk kërkohet drejtësi? A mos janë këto afera të mundshme korruptive të lidhura me persona më larg dhe më lart?” – ka shkruar ai.

Tutje, Hoti ka thënë se kur pushteti tenton të pengojë drejtësinë e minon demokracinë

Kjo sjellje vë në pikëpyetje “gjoja” reformën në drejtësi. Me këtë sjellje kjo mazhorancë e ka humbur besueshmërinë për çfarëdo reforme që tenton të bëjë në drejtësi.

Një pushtet që tenton të pengojnë drejtësinë e minon demokracinë. Të gjithë ne duhet të tregojmë respektin dhe përkrahjen tonë për zyrtarët e drejtësisë për veprimin e tyre në ndalimin e akteve të mundshme jo ligjore në KEK. Me këtë veprim po tregohet se drejtësia në Kosovë është funksionale, e pa ndikueshme dhe e guximshme. Sigurisht se secili është i pafajshëm derisa të provohet ndryshe. Respekti i politikës ndaj drejtësisë tregohet me përkrahje dhe me kërkesë për drejtësi. Respekti tregohet edhe duke mbajtur gojën mbyllur.” – përfundon shkrimin ai.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka njoftuar për arrestimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin për kryerjen e veprave; “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Në anën tjetër, anëtarët e VV-së kanë dalë në mbrojtje të Krasniqit teksa kanë akuzuar organet e drejtësisë se po punojnë “me porosi”.

Go to TOP