24 vjet nga vrasja e 22 shqiptarëve në Lagjen e Boshnjakëve
Dita e 15-të e prillit të çdo viti i bashkon banorët e Lagjes së Boshnjakëve në të njëjtin vend, për t’ua rikujtuar një ngjarje të kobshme.
Aty, fiks 24 vjet më parë, u vranë 22 persona, eshtrat e 21 prej të cilëve u gjetën disa vjet pas, ndërsa njëri nuk u gjet ende.
Forcat serbe atë ditë i bënë bashkë shqiptarët e kësaj lagjeje në Mitrovicë, në një shtëpi, për t’ua ndërruar kahjen e jetës, e disave edhe për t’ua shuar atë.
Por, vendi ku ndodhën gjithë këto ngjarje të tmerrshme nuk është i ruajtur si më së miri. Bile, as renovimin e duhur nuk ia bënë ende, ndaj u kërkua që një gjë e tillë të kryhet sa më shpejt.
Prej aty familjarët e të mbijetuarit e masakrës bënë homazhe e vendosën lule tek varrezat e martirëve në Shipol.
