Rreth 1500 veta me statusin e viktimës së dhunës seksuale, 70 prej tyre burra

Për herë të parë këtë vit më 14 Prill u shënua Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit.

Dhjetëra qytetarë me slogane “Bëhu zëri im”, në mbështetje të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, sot marshuan në Prishtinë.

Rreth 20 mijë persona vlerësohen se kanë qenë viktima të dhunës seksuale para 24 vjetësh, në luftën e fundit në Kosovë.

Aktualisht deri më tani janë rreth 1500 viktima që e kanë fituar statusin si e mbijetuar e dhunës seksuale.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë tregon për Front Online se edhe 500 persona janë në shqyrtim.

“Aktualisht prej vitit 2018 e deri më tani janë rreth 1500 gra dhe burra që e kanë fituar statusin si të mbijetuar të dhunës seksuale, ndërsa 2 mijë kanë aplikuar, domethënë edhe 500 janë në shqyrtim e sipër”, tha ajo.

Rushiti tha se në mesin e tyre, janë 70 burra, e pjesa tjetër është e gjinisë femërore.

“Janë diku 70 meshkuj, ndërsa pjesa tjetër i atakohet dhe gratë e vajzat pjesën më të madhe, si të pambrojtura janë femrat”, tha ajo.

Derisa foli për viktimat e dhunës seksuale, Rushiti thotë se ka ende shumë punë për të bërë, duke synuar drejtësinë.

Një kërkesë e tyre është edhe mundësia për të pasur shërbime shëndetësore falas.

“Shteti dhe institucioni i Kosovës natyrisht kanë se çka me bërë për të mbijetuarit e dhunës seksuale, pikë së pari arritjen e drejtësisë, institucionet me e vendos drejtësinë në vend në raport me të mbijetuarit e dhunës seksuale që është kërkesë e pareshtur e familjarëve e të mbijetuarve, pastaj shërbimet shëndetësore falas, të cilat ende nuk janë të rregulluara me ligj, pastaj afati për aplikim, për një periudhë të pa limituar kohore, adresimi i stigmëve dhe paragjykimi shoqërorë që mbizotëron, pastaj kërkesa në dialog në raport me të mbijetuarit e dhunës e kështu me radhë”, shprehet Rushiti.

Se përballen me sfida të shumta e thotë edhe Rushiti.

“ Shumë nga këto gra dhe vajza kanë pritur me e nda me bashkëshortët e familjarët e tyre me nda historinë e tyre traumatike. Na duhet me punu më shumë që me kriju një klimë të atillë ku këto gra dhe burra pranohen lirë në shoqëri”, deklaroi ajo.

Rushiti në fund tregoi se janë rreth 280 personave që iu është refuzuar statusi si viktimë e dhunës.

Që nga viti 2014, në Kosovë përmes legjislacionit njihet statusi i viktimës të dhunës seksuale të luftës të personave të përdhunuar gjatë luftës.

Ata gëzojnë një pension prej rreth 230 euro në muaj.

Go to TOP