Kurti takohet me Abazoviqin, pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje për shërbime ajrore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte pret në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në takimin e tyre ata do të nënshkruajnë marrëveshjen për shërbimet ajrore ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi.

Ky takim do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë nga ora 9:00, kështu është bërë e ditur nga një komunikatë për media e Zyrës së Kryeministrit.

Gjithashtu, pas takimit ata do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Për dy ditë radhazi, Abazoviq do të jetë në Kosovë për një vizitë ku pritet të zhvillojë takime me drejtues të institucioneve, bizneseve dhe vizita në objektet fetare.

Gjatë kësaj vizite ai do të shoqërohet nga dy ministra të qeverisë dhe dy kryetarë komunash.

Të premten në mëngjes, Abazoviq do të pritet në një takim nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Më pas, kryeministri i Malit të Zi me origjinë shqiptare do të ketë një takim edhe me Aleancën e Biznesit të Kosovës, ku do të pritet nga kryetari Agim Shahini.

Ndërkaq, raportohet se Abazoviq do të vizitojë edhe familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe do të bëjë homazhe te varri i tij.

Ndërsa, të shtunën në mëngjes ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, po ashtu do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të komuniteteve në Kosovë.

Të shtunën pasdite, Abazoviq do të takohet me liderët e opozitës, Memli Krasniqin kreun e PDK-së, Lumir Abdixikun e LDK-së dhe me Ramush Haradinajn të AAK-së.

Ndërkaq, në iftar do të jetë i ftuar nga kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Kreu i AKB-së, Shahini në një konferencë për media të enjten ka thënë se vizita e Abazoviqit ka karakter ekonomik dhe politik.

“AKB-ja ka rritur komunikimin me Malin e Zi, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Vizita ka karakter ekonomik, politikë dhe kulturor, e që do të organizohen 20 aktivitete për datat 13, 14 dhe 15 prill”, ka thënë Shahini.

Sipas tij, kryeministri malazez do të bëjë vizita në disa biznese vendore.

“Ishim ditë më herët në vizitë në Mal të Zi dhe kemi ngritur problemet e disa çështjeve. Janë rritur investimet nga dy anët. Do ta nënshkruaj një marrëveshje me AKB-në dhe do të ketë disa vizita me bizneset në Kosovë dhe Shqipëri”, ka shtuar ai.

Ai ka njoftuar se Abazoviq do të promovojë një libër e do të nderohet me titullin Honoris Causa.

Go to TOP