Ish-komandanti i brigadës “Agim Ramadani” në Koshare me rrëfim emocionues
Ish-komandanti i brigadës “Agim Ramadani” në Koshare, Rrustem Berisha ka bërë një rrëfim emocional në emisionin “Radar” në lidhje me historinë dhe sakrificat e Betejës së Koshares.
Berisha ka treguar lidhjen e veçantë që ka pasur me heroin, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj dhe sa e vështirë ka qenë për të humbja e tyre.
“Betejat e mëdha nuk mund të quhen të mëdha nëse nuk flijohen njerëz të mëdhenj. Me Agimin e kisha një lidhje të veçantë, u pajtua që të jetë pjesë e Brigadës sonë, nuk jemi nda deri në momentin e flijimit të tij. Kemi pasur raporte të veçanta, ishte strateg ushtarak kishte edhe sens humori që të ngriste moralin tek luftëtarët. Në një aksion në Jasiq i merrte luftëtarët e rinj të cilve iu dridhej pushka dhe i stabilizonte me fjalë të mira”, ka rrëfyer Berisha.
Ndër të tjera ai ka rrëfyer se si ka komunikuar me ta për strategjinë fillestare të planit për zmbrapsjen e forcave serbe dhe si po mundohet që ta botojë një libër për të rrëfyer për sakrificat e kësaj beteje.
“Bazuar në vëzhgimet e përditshme, jo vetëm që u bashkuam kështu, e bashkuam vijat e mobilizimit, armatimin të gjitha këto shkuan në drejtim të mirë dhe mbështetja e popullatës dha një kontribut të jashtëzakonshëm. I falënderoj të gjithë luftëtarët e Koshares. Ideja fillestare po realizohej, plani po realizohej mirë i cili ishte hartuar nga shtabi, ishte shumë mirë i përgatitur”, ka vijuar ai.
Me plot emocione ka treguar se sa të vështira kanë qenë ditët kur ka humbur krahët e tij më të fortë, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj.
“Me 11 prill u flijua Agim Ramadani, një ushtarak i përmasave të mëdha, ajo ditë ka qenë shumë e vështirë. Në një moment të caktuar mu kujtua një thënie e tij lufta nuk duhet të ndalet pavarësisht nëse dikush flijohet për lirinë e Kosovës. Në të njëjtin drejtim u flijua edhe Sali Çekaj i vendosur për luftë, edhe pse ishte më i vjetër se ne, ishte aty të u prijë proceseve”.
“Beteja e Koshares mbetet një fitore ushtarake, politike dhe diplomatike”
Berisha ka thënë se Beteja e Koshares mbetet një fitore ushtarake, diplomatike dhe politike si për nga plani dhe strategjitë që janë përdorur si për luftëtarët e mëdhenj që janë flijuar.
“Herdokurdo do të kuptohet që Beteja e Koshares është fitore e madhe ushtarake, politike dhe diplomatike si për nga zhvillimi dhe strategjitë që i kemi përdorur. Të gjithë do të binden që është një fitore e madhe ushtarake, sepse një ushtrie të i marrësh një pjesë të territorit, kazermën e ushtrisë dhe të heqësh flamurin e Serbisë dhe të vendosësh flamurin Kuq e Zi, nuk do koment më tutje”, ka theksuar Berisha.
“Në 98 jam fut në njësitë operative në Dukagjin, kemi mbetë me një grup të ushtarëve në Jansiq, kemi mbetur aty me një grup të caktuar me një sasi të armatimit, ne u angazhuam në Jasiq, Gjocaj së bashku me luftëtarët aty filluam të ndërtojmë sistemin e mbrojtjes, ndërtuam strategjinë e rrethit të ngushtë dhe të gjerë, morëm si detyrë të evakuojmë popullatën civile nga Juniku në drejtim të Tropojës. Aty vendosëm se veprimtaria jonë luftarake do të jetë lufta nga vija kufitare dhe të jetë mundësia e furnizimit me armatim pa pengesa”, ka vijuar rrëfimin ndër të tjera.
Berisha ka thënë se Dita D ishte vendosur që të jetë 9 prilli i 1999.
“E kam emëruar komandën e përparuar që ka dalë me përgatitjen e planit final për heqjen e kufirit, gjatë gjithë vëzhgimit të forcave serbe, më 9 prill Agim Ramadani dhe Sali Çekaj dhe unë së bashku vendosëm që dita D ose dita e sulmit të jetë 9 prilli i 99”.
Ai ka bërë të ditur se në vitin e ardhshëm do të botohet një punim shkencor që do i përmbajë të gjithë planin e strategjisë që është përdorur në këtë betejë, statistikat, flijimet dhe të gjitha vlerat që kanë përcjellur luftëtarët.
