Haziri: Besoj që drejtësia e Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë
Nesër, më 11 prill në Hagë nis dëgjimi i dëshmitarëve në procesin gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Lidhur me këtë ka folur nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Haziri tha se beson në zbardhjen e drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara.
Ai theksoi se uron që të konfirmohet edhe pastërtia e luftës.
“LDK është përmendur në disa raste, më shumë në komunikata, por jo në raste tjera të veçanta. Derisa nuk kemi zbardhje të fakteve në rastet e veçanta për emrat e veçantë. Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë. Besojmë shumë që drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë dhe uroj që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet jo në dëm të askujt, duke përfshirë jo vetëm pakicat etnike, por edhe individët. Në këtë rrafsh, e vërteta e madhe është që drejtësi duhet të vendoset për të gjithë dhe kompensimi me drejtësi për viktimat dhe rastet që Dhomat e Specializuara i kanë në hetime, duhet të vendoset po ashtu”, tha Haziri.
