Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, dëshmitari thotë se babai iu kidnapua dhe u keqtrajtua në vitin 1999 në Shqipëri

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të katërt të mbrojtur me kodin 9, i cili deklaroi se babai iu kidnapua dhe u keqtrajtua në Shqipëri.

Këtë deklarim, e bëri duke u përgjigjur pyetjeve të prokurores Eva Wyler, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Dëshmitari tha se nga babai dhe nëna pasi që ishin kthyer në shtëpi, përmes telefonit e kishin informuar se babai i ishte kidnapuar nga katër persona dhe ishte dërguar në një kamp në Kukës.

Sipas tij, telefonata ishte bërë në muajin maj, qershor por nuk e din datën e saktë.

Dëshmitari tha se gjatë transferimit për në Kukës, babai ishte kërcënuar se do ta vrasin dhe se pas dërgimit në kampin e Kukësit i njëjti ishte trajtuar mizorisht.

‘‘E kanë rrah me shkopa gome, hekuri, druri, ia kanë pre me brisk lëkuren, e kanë rrah deri në alivanosje’’, tha dëshmitari me kodin 9.

Sipas tij, kjo kishte ndodhur disa herë dhe se babai i tij kishte arritur t’i identifikojë tre persona.

Ai përmendi emrin e Pjetër Shalës, Sabit Gecit dhe Xhemshit Krasniqit.

Lidhur me atë se a ishte intervistuar babai i tij në atë kamp, dëshmitari tha se e kanë pyetur shkurt se ‘‘kush janë shpiunat po jo kështu gjatë’’.

Para këtyre deklarimeve, dëshmitari sqaroi edhe një incident të ndodhur në vitin 1998, kur familja e tyre ishte larguar nga fshati sepse disa persona kishin shkuar për ta kërkuar babanë e tyre që ta marrin me vete.

I njëjti tha se për këtë kishte mësuar nga familjarët sepse vetë nuk kishte qenë i pranishëm.

Tutje, deklaroi se babai dhe familjarët nuk i kishin njohur të gjithë njerëzit e pranishëm, por që tha se nëna e kishte njohur dikë me emrin Hamëz e që tha se mbiemrin nuk ia di.

Ndërkaq, tha këta njerëz ishin dërguar nga shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Jabllanicë dhe se babai i tij më vonë e kishte mësuar se Pjetër Shala kishte qenë i pranishëm në shtëpinë e tij ditën kritike, për të cilin tha se vetë i akuzuari ia kishte pohuar.

Në vazhdim, dëshmitari tha se vetë Pjetër Shala i kishte thënë babait të tij se ‘‘pse e ke kërku dikënd tjetër që ta ka gjujt kafen se unë vetë ta kam gju kafen me revole dhe se edhe unë isha atë ditë të shpia, pse nuk dilshe ti’’ .

Lidhur me incidentin e kafenesë, dëshmitari tha se kishte ndodhur në vitin 1996, kurse incidenti i shtëpisë në vitin 1998.

Go to TOP