26 vjet nga çlirimi i Kosovës, qytetarët kërkojnë unitet politik
26 vjet më parë në Kosovë nisi tërheqja e forcave serbe, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serb dhe fillimin e një epoke të re për popullin e Kosovës.
Ky moment historik erdhi pas një periudhe të gjatë të pushtimit serb dhe krimeve të kryera ndaj popullatës shqiptare, si dhe pas fushatës 78-ditore të bombardimeve të NATO-s e marrëveshjes së Kumanovës.
Nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare dhe bombardimet e NATO-s, ushtria serbe u detyrua të nënshkruante marrëveshjen më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë.
Marrëveshja ishte nënshkruar nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte në Kosovë.
Sulmet që vazhduan për 78 ditë, u ndaluan më 10 qershor, pasi komandanti i atëhershëm suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore kishin detyruar ushtrinë dhe paramilitarët serbë që të fillonin tërheqjen e plotë nga Kosova.
Me hyrjen e NATO-s në Kosovë, e cila shënoi çlirimin e vendit dhe hapjen e rrugës për vendosjen e paqes, nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara -UNMIK, i cili administroi vendin deri në shpalljen e pavarësisë, më 17 shkurt 2008.
26 vjet pas, kjo ngjarje historike u kujtua nga qytetarët, të cilët kërkuan unitet politik.
“Këtu ku kemi ardhur, po të kishte qenë unik i gjithë populli, klasa politike, udhëheqësit e shtetit, besoj se do të kishim edhe zhvillim e përparim në të mirën e vendit”, tha një qytetar.
“Jemi të lirë tash, kemi të drejtë, gjithçka në pronën tonë, në vendin tonë për të jetuar e punuar”, tha tjetri qytetar.
Kurse një qytetar tjetër tha se “veç mendoj për një shtet shqiptar, me qenë në rehati në përgjithësi në Evropë, me qenë me krejt mirë siç e dëshiron Evropa”.
Ky përvjetor kujtohet me nderim për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës dhe përkushtimin për ndërtimin e një shteti të lirë, demokratik dhe të drejtë.
