Zemaj akuzon RTK-në për njëanshmëri: “Në shërbim të klikës së pushtetit të VV-së”
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së raportimit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) duke e akuzuar menaxhmentin aktual për njëanshmëri dhe shërbim ndaj interesave partiake të Lëvizjes Vetëvendosje.
Zemaj theksoi se RTK, si medium publik, ka mandat kushtetues dhe ligjor për të garantuar informim të balancuar dhe për të përfaqësuar interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Megjithatë, sipas tij, “çdo lajm, madje edhe ai i sotmi, ku edhe ne ishim të pranishëm në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, deformohet sipas prizmit të interesit partiak të Vetëvendosjes”.
Deputeti i LDK-së e quajti këtë qasje “një tendencë të vazhdueshme të menaxhmentit aktual për ta vënë RTK-në në shërbim të klikës në pushtet” duke e cilësuar si mendësi totalitariste që shkatërron pluralizmin mediatik.
Në fund, Zemaj ironizoi rolin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) duke thënë se “sigurisht, pret ankesat”, në aludim për mungesën e reagimit institucional ndaj, siç tha ai, kapjes së mediumit publik. /Kosova.info/
