Vuçeviq: Kam përshtypjen se Kurti s’mendon ta formojë Asociacionin

Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, pas takimit të mbrëmshëm me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka theksuar se përshtypja e tij është se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kjo është përshtypja ime, nuk mund të them se është mesazh zyrtar i Mirosllav Lajçakut, por kam krijuar përshtypjen se Kurti nuk mendon ta formojë Asociacionin. Deri në fund të këtij viti askush nuk e sheh as planin e aktiviteteve të tij në formimin e Asociacionit. Kështu që nuk hyj në gjëra të përgjithshme, cila do të ishte përmbajtja e atij Asociacioni”, ka deklaruar ai nga Athina, raportojnë mediat serbe.

Në Athinë kryeministri serbe ka zhvilluar një takim me Lajçakun.

Vuçeviqi ka theksuar se nuk mund të thotë se është më optimist pas bisedës me Lajçakun ose se ka marrë disa garanci se Kosova ka vullnet shtesë për të qetësuar situatën në terren. Por, ai ka thënë se Lajçaku do të vizitojë Beogradin shumë shpejt dhe do të bisedojë me presidentin Aleksandër Vuçiq.

Edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka konfirmuar se është takuar me kryeministrin e serb, Millosh Vuçeviq, në Athinë.

Lajçak ka bërë të ditur se me të ka folur për atë se ku ndodhet procesi i dialogut, si dhe për marrëdhëniet BE-Serbi.

“Në Athinë, u takova me kryeministrin e ri Millosh Vuçeviq. E informova për zhvillimet aktuale në dialog dhe fola rreth marrëdhënieve BE-Serbi”, ka shkruar Lajçak në ‘X’.

Go to TOP